Crystal Palace dhe dominimi anglez, Premier League me 9 skuadra në Europë edhe edicionin tjetër

Crystal Palace dhe dominimi anglez, Premier League me 9 skuadra në Europë edhe edicionin tjetër

09:05, 28/05/2026

Brenda një viti ekipi nga Londra arriti të fitojë 3 trofe, edhe pse me një trajner që ka zyrtarizuar largimin që prej 4 muajsh.

Më shumë se një shekull me palmaresin krejtësisht bosh. Pastaj, si me magji, 3 kupa në harkun kohor të një viti: FA Cup 2024-25, Community Shields dhe tani Conference League.

Vërtet një anomali për një klub të themeluar në 1905-ën (121 vjet histori) dhe që ka në stol një trajner, Oliver Glasner, i cili që në janar vendosi të largohet.

Futbolli i sotshëm është kështu: vendi i 15-të në Premier League mund të përballet qetësisht me gati të gjithë kundërshtarët e kampionateve të tjera, edhe ata të nivelit më të lartë.

Një sinjal i qartë i dominimit që futbolli anglez tashmë po ushtron në Europë.

Për momentin jemi dy në dy, Europa League për Aston Villa-n dhe Conference League për Crystal Palace, pa pësuar asnjë gol në dy finale.

Mungon finalja e trofeut më të rëndësishëm, por është i vetmi rast, ku skuadra angleze, Arsenali, nuk është favorite në raport me kundërshtarin, PSG-në.

Megjithatë, një finale është një finale. Mund të ndodhë gjithçka, nuk mund të llogaritet nga vlerat e skuadrave.

Me fitimin e Conference League, futbolli anglez për herë të dytë radhazi do të përfaqësohet me 9 skuadra edicionin e ardhshëm në kupat e Europës. Edhe ky është një rekord.

Për ata që nuk e dinë, Crystal Palace e ka marrë emrin nga një pallat kristali që u ndërtua brenda Hyde Park në 1851-shin, nga projekti i arkitektit Joseph Paxton.

Më pas u çmontua krejtësisht dhe u rindërtua në Sydenham Hill, në jugun bujqësor të Londrës.

Përreth pallatit filloi të formohej një komunitet, pastaj një lagje që me kalimin e kohës u aneksua nga qyteti metropolitan i Londrës.

Pastaj u ndërtua një stadim brenda Crystal Palace Park dhe punëtorët e mirëmbajtjes dhe pastrimit të pallatit të kristaltë themeluan një skuadër futbolli, fillimisht pa emër.

Më 10 shtator 1905 u themelua një klub i vërtetë, që u quajt në fillim “The Glaziers”, pastaj u pagëzua Crystal Palace.

Ngjyrat fillimisht ishin e kaltra dhe amaranta (e kuqe në rozë), sepse trajneri i parë, Edmund Goodman, kishte punuar për Aston Villa-n. Më pas u kalua në ngjyrat e kuqe dhe blu.

Trajneri i parë i huaj i Palace ishte Frank de Boer. Në 2017-ën holandezi qëndroi në krye të kësaj skuadre 77 ditë, me rezultate katastrofike.

Aksioneri kryesor i Crystal Palace sot është një sipërmarrës amerikan, Woody Johnson, pronar edhe i New York Jets në NFL.

Johnson e bleu paketën e aksionerit në maxhorancë (rreth 43%) nga manjati John Textor. Por mbetet bashkëpronar dhe tifoz i thekur Steve Parish, 60 vjeç, që ka përgjegjësinë e të gjitha zgjedhjeve teknike.

Në 13 muajt e fundit ka shijuar më shumë se të gjithë triumfet e Palace.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco