Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur në një konferencë për shtypin, ku ka trajtuar gjendjen e ekipit, mungesat për shkak dëmtimesh dhe objektivat afatgjatë të “Dardanëve”.
Një nga temat kryesore ishte mungesa e sulmuesit kryesor Vedat Muriqi, për të cilin Foda konfirmoi se nuk do të jetë pjesë e grumbullimit aktual, por pritet rikthimi i tij në muajin shtator.
“Muriqi ka pasur një sezon të ngarkuar dhe ka vendosur të pushojë këtë verë. Jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe ai pritet të rikthehet në shtator me kombëtaren”, u shpreh Foda.
Trajneri gjerman foli gjithashtu për gjendjen e disa lojtarëve të dëmtuar si Milot Rashica, Fidan Aliti dhe Florent Hadergjonaj, duke theksuar se të gjithë kanë shprehur dëshirën për të vazhduar të jenë pjesë e projektit të kombëtares.
“Nuk ka qenë një situatë e lehtë për ta, por të gjithë më kanë konfirmuar se duan të vazhdojnë me Kosovën”, deklaroi Foda.
Në aspektin sportiv, ai theksoi se pavarësisht zhgënjimit pas finales së humbur ndaj Turqisë, skuadra duhet të shikojë përpara dhe të fokusohet në objektivat e ardhshëm, sidomos në UEFA Nations League dhe procesin kualifikues për Euro 2028.
“Qëllimi ynë afatgjatë është Euro 2028. Duhet të rritemi si ekip dhe t’i shfrytëzojmë këto ndeshje për përmirësim”, tha trajneri i Kosovës.
Foda gjithashtu u ndal te situata e disa lojtarëve me përvojë, përfshirë edhe Valon Berishën, duke theksuar se vendimi për të ardhmen e tij në kombëtare do të merret në bashkëpunim me lojtarin në muajt e ardhshëm.
Në fund, ai konfirmoi se stafi teknik po punon aktivisht në zbulimin e talenteve të reja, duke ndjekur lojtarë në kampionatin vendor dhe jashtë vendit, përfshirë disa elementë premtues nga FC Lugano dhe Superliga e Kosovës, si dhe duke vëzhguar nga afër zhvillimin e talentit të ri Rin Ahmeti.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: