Statuja gjigante e Messit në Indi do të hiqet, zbulohet arsyeja

Statuja gjigante e Messit në Indi do të hiqet, zbulohet arsyeja

17:18, 27/05/2026

Një statujë 21 metra e lartë e Lionel Messi-t, e vendosur në Kalkuta të Indisë, do të çmontohet pasi autoritetet e konsideruan të pasigurt. Vendimi u mor pas ankesave të banorëve lokalë, të cilët raportuan se monumenti “lëkundej nga era”.

Pas denoncimeve të bëra të hënën, inxhinierët e Departamentit të Punëve Publike zhvilluan një inspektim dhe arritën në përfundimin se struktura kishte probleme serioze stabiliteti. Për këtë arsye u urdhërua heqja dhe zhvendosja e menjëhershme e statujës.

Lajmin e konfirmoi edhe ligjvënësi i Bengalit Perëndimor, Sharadwat Mukherjee, i cili deklaroi për BBC se statuja e legjendës argjentinase nuk ishte më e sigurt. “Kemi vënë re se monumenti lëkundet nga era”, tha ai.

Megjithatë, autoritetet pranojnë se operacioni nuk do të jetë i lehtë, pasi statuja ndodhet pranë një rruge shumë të frekuentuar dhe afër një stacioni metroje. Pavarësisht vështirësive, plani është që ajo të hiqet sa më shpejt të jetë e mundur.

Si masë paraprake, struktura prej fibër xhami dhe hekuri është stabilizuar përkohësisht me litarë najloni me rezistencë të lartë, ndërsa janë vendosur barrikada për të mbajtur larg këmbësorët dhe trafikun.

Monumenti gjigant u ngrit në muajin dhjetor gjatë turneut “GOAT” (“Më i miri i të gjitha kohërave”) të Messit në Indi, që festonte triumfin e Argjentinës në Botërorin 2022. Statuja u montua për 27 ditë nga një ekip prej 45 personash dhe u inaugurua virtualisht nga vetë Messi.

Vizita e ‘yllit’ argjentinas, në Kalkuta pati gjithashtu tensione, pasi në stadiumin ‘Salt Lake’ u raportuan përplasje mes tifozëve, të zhgënjyer nga paraqitja e shkurtër e lojtarit në fushë.

Tashmë autoritetet indiane po shqyrtojnë vende alternative për të rivendosur monumentin e famshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco