Napoli duket gjithnjë e më pranë emërimit të Vincenzo Italiano-s si trajnerin e ri për të zëvendësuar Antonio Conten. Sipas medieve italiane, presidenti Aurelio De Laurentiis zhvilloi një takim pozitiv në Romë me përfaqësuesit e teknikut 48-vjeçar, i cili pritet të largohet nga Bologna.
Në samitin e mbajtur të martën ishin të pranishëm edhe drejtori sportiv i Napolit, Giovanni Manna, si dhe agjenti i trajnerit, Fali Ramadani. Qëllimi kryesor i takimit ishte arritja e një marrëveshjeje ekonomike dhe sinjalet e para konsiderohen shumë pozitive.
De Laurentiis ka vendosur të nisë një cikël të ri me ish-trajnerin e Spezias dhe Fiorentinës në stol. Në tryezë thuhet se është diskutuar një kontratë dyvjeçare deri në vitin 2028, me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër, ndërsa paga e Italianos do të jetë rreth 3 milionë euro në sezon.
Në Itali raportohet se ekziston optimizëm i madh për “tym të bardhë”, me zyrtarizimin që mund të vijë edhe në orët e ardhshme.
Alternativë për Napolin konsiderohej edhe Massimiliano Allegri, i cili u nda nga Milani vetëm pas një sezoni, pas dështimit për t’u kualifikuar në UEFA Champions League. Marrëdhëniet shumë të mira mes Allegri-t dhe De Laurentiis-it mund ta mbajnë ende të hapur këtë pistë, në rast se marrëveshja me Italianon nuk finalizohet.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: