Harry Kane ishte protagonisti absolut në triumfin e Bayernit ndaj Stuttgartit në finalen e DFB-Pokal.
Sulmuesi anglez realizoi një tripletë spektakolare në fitoren 3-0, duke i siguruar skuadrës bavareze dopietën vendore pas suksesit edhe në Bundesligë.
Megjithatë, pas ndeshjes, vëmendjen më të madhe e morën deklaratat e tij për të ardhmen.
Kontrata aktuale e Kane me Bayernin skadon në vitin 2027, ndërsa klubi gjerman dëshiron ta bindë për një rinovim afatgjatë.
Por, 32-vjeçari la të kuptohet se ky mund të jetë një nga kapitujt e fundit të karrierës së tij si futbollist profesionist.
“Në këtë fazë të karrierës sime dua të përfitoj maksimumin nga kontrata. Kjo do të jetë një nga kontratat e fundit që do të firmos si futbollist profesionist”, deklaroi kapiteni i Anglisë.
Fjalët e tij kanë ngritur pikëpyetje te tifozët e Bayernit, megjithëse vetë sulmuesi theksoi se nuk ka asnjë nxitim për të marrë një vendim.
“Tani nuk është momenti për të folur për këtë çështje. Jemi shumë të qetë me situatën”, shtoi ai, duke lënë të kuptohet se bisedimet do të vazhdojnë pas përfundimit të angazhimeve të sezonit dhe Kupës së Botës.
Pavarësisht deklaratave që kanë shkaktuar diskutime, gjithçka tregon se marrëdhënia mes Kane dhe Bayernit mbetet shumë pozitive, me të dyja palët që dëshirojnë vazhdimin e bashkëpunimit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: