Hansi Flick dhe Barcelona do të vazhdojnë bashkëpunimin të paktën edhe për dy vite të tjera. Trajneri gjerman, kontrata aktuale e të cilit përfundon në qershor 2027, ka pranuar ofertën më të fundit të klubit për rinovim, duke konfirmuar stabilitetin në pankinën katalanase.
Fillimisht, klubi i drejtuar nga Joan Laporta synonte një marrëveshje afatgjatë deri në vitin 2029, por tekniku gjerman ka preferuar një kontratë më të shkurtër, duke ruajtur fleksibilitet për të ardhmen e tij profesionale.
Megjithëse disa detaje mbeten ende për t’u diskutuar, ato pritet të sqarohen javën e ardhshme, kur agjenti Pini Zahavi do të mbërrijë në Barcelonë. Vizita e tij lidhet jo vetëm me kontratën e Flick, por edhe me të ardhmen e sulmuesit polak Robert Lewandowski.
Flick ka dhënë miratimin për një kontratë deri në vitin 2028, me një vit opsional që do të aktivizohet automatikisht nëse palët bien dakord në fund të sezonit 2027-28. Nënshkrimi i marrëveshjes së re pritet të vijë pasi Barcelona të sigurojë titullin në LaLiga, qoftë këtë fundjavë apo pas përballjes së madhe ndaj Real Madrid në “El Clásico” më 10 maj.
Me këtë rinovim, Flick do të konsolidojë një periudhë shumë të suksesshme, duke synuar të arrijë pesë trofe në dy sezonet e para, përfshirë edhe një tripletë kombëtare në debutim. Për më tepër, ai ka arritur të ndërtojë një skuadër konkurruese, duke promovuar 12 lojtarë nga akademia dhe duke rikthyer në formë futbollistë si Raphinha dhe Eric García.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: