Roma ka mbyllur një goditje të rëndësishme në repartin ofensiv, duke arritur marrëveshje me Bayernin e Mynihut për transferimin e Bryan Zaragoza-s. Klubi verdhekuq ka finalizuar akordin në orët e fundit për anësorin spanjoll të lindur në vitin 2001, i cili aktualisht ndodhet në huazim te Celta Vigo. Operacioni është ndërtuar mbi bazën e një huazimi me të drejtë blerjeje, e cila do të shndërrohet në detyrim në përmbushjen e disa kushteve të paracaktuara. Lojtari ka dhënë prej kohësh miratimin e tij për kalimin në kryeqytetin italian dhe është gati të firmosë një kontratë deri në vitin 2030. Mbeten vetëm disa detaje për t’u sqaruar, ndërsa Celta Vigo do të përfitojë një dëmshpërblim për ndërprerjen e parakohshme të huazimit.
I lindur në Malaga në vitin 2001, Bryan Zaragoza përfaqëson profilin tipik të “xholit” ofensiv: vetëm 164 centimetra i gjatë, por me shkathtësi, shpejtësi dhe teknikë të jashtëzakonshme. I rritur te Granada, ai u bë i njohur në arenën evropiane falë aftësisë për të kaluar kundërshtarin në hapësira shumë të ngushta, një cilësi që e bën tejet të rrezikshëm në situatat një kundër një. Nga pikëpamja taktike, Zaragoza është një anësor i djathtë natyral, por preferon shpesh të veprojë në krahun e majtë për t’u futur në qendër dhe për të goditur me këmbën e tij të preferuar. Pikërisht ky profil përputhet në mënyrë ideale me kërkesat taktike të Romës: një lojtar i aftë të krijojë epërsi numerike, të japë fantazi në fazën sulmuese dhe, kur të jetë e nevojshme, të interpretojë edhe rolin e trekuartistit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: