Manchester United arriti një fitore dramatike 3-2 ndaj Fulham-it në “Old Trafford”, duke u rikthyer në katërshen e parë të Premier League-s falë golit vendimtar të Benjamin Šeško-s në minutën e 94-t.
Skuadra e drejtuar nga Michael Carrick e nisi ndeshjen me intensitet të lartë dhe kaloi në avantazh në minutën e 20-të. Pas një goditjeje standarde të Bruno Fernandes, Casemiro u shkëput bukur në zonë dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë për 1-0. United kontrolloi lojën në pjesën e parë, ndërsa Fulham provoi të reagonte me goditje nga distanca, por pa sukses.
Në fillimin e pjesës së dytë, “Djajtë e Kuq” dyfishuan shifrat. Në minutën e 56-të, Casemiro shërbeu saktë për Matheus Cunha-n, i cili goditi fuqishëm dhe mposhti Leno-n për 2-0. Fulham u përpoq të kthehej menjëherë në lojë, por një gol i shënuar u anulua për pozicion jashtë loje.
Ndeshja mori tjetër rrjedhë në minutat e fundit. Fillimisht, Raúl Jiménez shkurtoi diferencën nga pika e bardhë pas një faulli të Maguire-s, duke e çuar rezultatin në 2-1. Drama u shtua në minutën e 92-të, kur Kevin realizoi një gol spektakolar për 2-2.
Megjithatë, gëzimi i miqve zgjati pak. Vetëm dy minuta më vonë, Benjamin Šeško përfitoi nga një pasim i Fernandes dhe me një goditje precize shënoi golin e fitores 3-2, duke shpërthyer “Old Trafford”-in në festë.
Për United-it ky ishte suksesi i tretë radhazi, që e rikthen në vendin e katërt, ndërsa Fulhami pëson një humbje të hidhur pas një rikthimi heroik të papërfunduar.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: