Kylian Mbappé po jeton një sezon thjesht të jashtëzakonshëm me fanellën e Real Madridit, duke konfirmuar statusin e tij si një nga lojtarët më dominues të futbollit botëror. Sfida e fundit ndaj Rayo Vallecano-s u vendos nga një penallti e tij në minutën e 99-të, një tjetër gol vendimtar që i dha “Los Blancos” tri pikë shumë të rëndësishme dhe i riktheu ata vetëm një pikë larg kryesimit të LaLiga-s, ku ndodhet Barcelona e drejtuar nga Hansi Flick.
Edhe pse goli erdhi nga pika e bardhë, pesha e tij ishte enorme dhe pasqyron perfekt ndikimin që Mbappé ka pasur deri tani te skuadra madrilene. Francezi po firmos një sezon me shifra që duken thuajse irreale. Në kampionat, ai ka realizuar 22 gola në 21 ndeshje, duke i shtuar edhe 4 asistë, një rendiment që flet qartë për vazhdimësinë dhe efikasitetin e tij.
Akoma më mbresëlënëse janë statistikat në Ligën e Kampionëve. Në kompeticionin më prestigjioz evropian, Mbappé ka shënuar 13 gola në vetëm 7 ndeshje, gati dy gola për ndeshje, duke u shndërruar në makthin kryesor të mbrojtjeve kundërshtare. Në Kupën e Mbretit ai ka kontribuar me 2 gola dhe një asist në të vetmen ndeshje të luajtur, ndërsa në Superkupë nuk ka gjetur ende rrugën e rrjetës.
Në total, Mbappé numëron 37 gola dhe 5 asistë në 29 ndeshje zyrtare me Real Madridin. Shifra që paralajmërojnë rivalët: për titullin në LaLiga dhe për triumfin në Champions, duhet patjetër të bëjnë llogaritë me Realin e Mbappé-së.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: