Milani është shumë pranë zyrtarizimit të një përforcimi të rëndësishëm në repartin ofensiv. Klubi kuqezi ka arritur marrëveshjen me Crystal Palace për transferimin e sulmuesit francez Jean-Philippe Mateta, me lojtarin që tashmë ndodhet në Londër për të kryer vizitat mjekësore para firmës në kontratë.
Mateta, 28 vjeç, ishte prej kohësh në radarët e drejtuesve të Milanit dhe fillimisht ishte planifikuar si një goditje për merkaton e verës. Megjithatë, zhvillimet e fundit në Angli kanë përshpejtuar gjithçka. Crystal Palace ka gjetur zëvendësuesin e tij te Wolverhampton, duke u orientuar drejt Strand Larsen, dhe për këtë arsye ka dhënë dritën jeshile për largimin e menjëhershëm të sulmuesit francez.
Sipas mediave britanike, në veçanti “The Athletic”, Mateta po kryen tashmë kontrollet mjekësore për llogari të Milanit, një sinjal i qartë se operacioni është në fazat përfundimtare. Për shërbimet e tij kishte interes edhe nga Juventus, por Milani ka arritur të mbyllë marrëveshjen më shpejt, duke bindur si klubin ashtu edhe lojtarin.
Me këtë transferim, trajneri Massimiliano Allegri fiton një alternativë të rëndësishme në sulm, duke zgjeruar rotacionet dhe opsionet taktike në një sezon të ngarkuar mes Serie A-s dhe objektivave evropiane. Profili fizik dhe përvoja e Mateta-s në Premier League konsiderohen ideale për kampionatin italian.
Mateta largohet nga Crystal Palace pas pesë vitesh. I ardhur fillimisht në huazim nga Mainz në janar 2021, ai u ble përfundimisht në vitin 2022 për 11 milionë euro. Me fanellën e Palace ka zhvilluar 186 ndeshje zyrtare dhe ka realizuar 56 gola, duke mbyllur një cikël të rëndësishëm të karrierës së tij në Angli.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: