Juventusi po shqyrton seriozisht pistën Mauro Icardi në orët e fundit të merkatos, një skenar që deri pak ditë më parë dukej i pamundur. Me negociatat për Randal Kolo Muani që kanë hasur pengesa dhe me Joshua Zirkzee që është bërë i paarritshëm pas zhvillimeve të fundit te Manchester United, drejtuesit bardhezi duan të kuptojnë disponibilitetin e ish-kapitenit të Interit, aktualisht te Galatasaray.
Sulmuesi argjentinas përfaqëson një zgjidhje konkrete për të përforcuar repartin ofensiv, sidomos duke pasur parasysh situatën kontraktuale. Marrëveshja e Icardi-t me Galatasaray-n skadon më 30 qershor 2026 dhe klubi turk do të ishte i gatshëm ta lëshonte për rreth 2 milionë euro, pikërisht për shkak të afatit të shkurtër të kontratës. Nga ana e tij, lojtari përfiton rreth 10 milionë euro neto në sezon, por për gjashtë muajt e mbetur do të kërkonte një pagë rreth 5 milionë euro.
Në pankinën e Juventusit, Luciano Spalletti shihet si një faktor kyç në këtë operacion. Trajneri është gati ta ‘ripërqafojë’ Icardi-n pas prishjes së marrëdhënieve në kohën e tyre të përbashkët tek Interi, duke vlerësuar se profili i sulmuesit u përshtatet nevojave aktuale të skuadrës. Për më tepër, detaji kurioz është se Galatasaray është kundërshtari i radhës i Juventusit në playoff-in e Ligës së Kampionëve, çka e bën çështjen edhe më delikate.
Ndërkohë, pista Kolo Muani mbetet e vështirë për shkak të rezistencës së Tottenhamit, ndërsa situata e Zirkzee është bllokuar nga pasiguria në “Old Trafford”. Në këtë kontekst, emri i Icardit po fiton terren dhe nuk përjashtohet që të kthehet në një opsion real për sulmin bardhezi.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: