Përfundon pa fund të lumtur një nga historitë më romantike të merkatos së janarit për Interin. Ivan Perisic nuk do të rikthehet për herë të tretë te zikaltrit, pas dy aventurave të mëparshme në periudhat 2015–2019 dhe 2020–2022, kjo e fundit pas sezonit në huazim te Bayerni.
Sipas raportimeve të Sky Sport, bisedimet mes Interit dhe PSV Eindhoven-it janë ndërprerë. Kroati ishte identifikuar nga drejtuesit zikaltër si përforcimi ideal për krahun e djathtë, në pritje të rikthimit të Dumfries dhe duke pasur parasysh paraqitjet jo bindëse të Luis Henrique-s. Megjithatë, negociatat me klubin holandez kanë qenë të vështira që në fillim.
As eliminimi i PSV-së nga Champions League nuk e ka lehtësuar marrëveshjen. Interi ishte i gatshëm të priste edhe sfidën e madhe të Eredivisie-s mes PSV-së dhe Feyenoordit, por nga Holanda qëndrimi ka mbetur i pandryshuar: Perisic nuk është në shitje. Me kohën që po shteron, në selinë zikaltër është marrë vendimi për t’u tërhequr nga kjo pistë.
Në mungesë të surprizave të minutës së fundit, Interi do të rishikojë planet: klubi do të presë rikthimin e Dumfries, ndërsa do të vlerësojë edhe mundësinë e një goditjeje të fundit për Moussa Diaby nga Al-Ittihad. Profili i francezit është më ofensiv krahasuar me alternativat aktuale dhe me vetë Perisic-in.
Për momentin, kapitulli Perisic III mbetet i mbyllur.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: