Para ndeshjes së radhës ndaj Elches, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, foli këtë të premte për gjendjen e skuadrës dhe pritshmëritë për pjesën vendimtare të sezonit. Ai theksoi se ekipi ka cilësi dhe mentalitet të mirë, por duhet të përmirësojë minutat e para të ndeshjeve: “Kemi pranuar shumë gola. Mentaliteti është i mirë, kemi cilësi dhe besojmë tek vetja, por duhet të përmirësojmë fillimet e ndeshjeve. Duhet të jemi të përgatitur që nga sekonda e parë,” u shpreh trajneri gjerman.
Flick analizoi gjithashtu situatën në LaLiga dhe momentin e rivalëve kryesorë: “Do të luftojmë deri në fund, siç bëjnë edhe Real Madrid, Atletico apo Villarreal. Është një kampionat i fortë dhe synojmë të përfundojmë të parët.” Për Elche-n, trajneri ishte i qartë: “Eder ka bërë një punë fantastike. Më pëlqen mënyra se si luajnë, janë të guximshëm dhe krijojnë shumë mundësi. Sezonin e kaluar kishin më shumë posedim se ne.” Vizita në Martinez Valero pritet të jetë e vështirë, pasi skuadra e Sarabias ka humbur vetëm një ndeshje në shtëpi këtë sezon.
Sa i përket skuadrës, Flick përjashtoi çdo diskutim për transferime dhe vendosi fokusin te rikuperimet e lojtarëve: “Shpresoj të kemi sërish lojtarë të rikuperuar nga dëmtimet. Pedri mund të kthehet së shpejti, Gavi gjithashtu është stërvitur më shumë; do të shohim. Kam një ekip të mirë dhe besoj tek cilësia e tij.” Ai lavdëroi edhe performancën e të rinjve nga akademia dhe kërkoi durim për Marc Bernalin: “Është i rëndësishëm për të ardhmen e klubit, por po rikuperohet nga një dëmtim serioz. Duhet të shkojmë hap pas hapi.”
Ndërsa për largimin e Dro, Flick shprehu zhgënjim, por me respekt: “Më pëlqente shumë, këtu do të kishte pasur një të ardhme të madhe, por ka marrë një vendim tjetër dhe duhet të respektohet.”
Barcelona do të ndeshet me Elche-n këtë të shtunë në orën 21:00. Eric Garcia është rikuperuar, por Gavi, Christensen dhe Pedri nuk do të jenë të gatshëm. Megjithatë, Flick beson te forca mendore e skuadrës për të nisur më mirë ndeshjen dhe për të mbajtur garën për të gjitha titujt.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: