Juventusi do të përballet me Galatasaray-n në “play-off”-in e Champions League dhe shorti i Nyonit ka risjellë në sipërfaqe kujtime të vjetra e jo fort të këndshme, si për bardhezinjtë, ashtu edhe për trajnerin Luciano Spalletti.
Mendimi i parë i tifozëve të “Zonjës së Vjetër” shkon menjëherë te ajo mbrëmje famëkeqe e borës në Stamboll. Ishte java e fundit e fazës së grupeve të edicionit 2013/14, kur Juventusi i Antonio Contes luante gjithçka kundër Galatasaray-t të Roberto Mancinit. Ndeshja e planifikuar më 10 dhjetor u ndërpre për shkak të reshjeve të dendura të borës dhe u rinis të nesërmen. Bardhezinjve u mjaftonte barazimi për t’u kualifikuar, por goli i Wesley Sneijder-it pesë minuta nga fundi i dënoi ata me rënien në Europa League. Një plagë që ende dhemb.
Duke ardhur te e tashmja, Spalletti do të përballet me dy ish-lojtarë të tij shumë të rëndësishëm. I pari është Victor Osimhen, me të cilin fitoi titullin kampion te Napoli tri vite më parë. Marrëdhënia mes tyre ka qenë e ndërtuar mbi respekt dhe bashkëpunim, pavarësisht ndonjë përplasjeje episodike. Sot, Osimhen është lider i Galatasaray-t dhe me statistika mbresëlënëse: 50 gola dhe 8 asistime në 60 ndeshje.
Por raporti më i tensionuar mbetet ai me Mauro Icardin. Konfliktet jashtë fushe gjatë sezonit 2018/19 tek Interi çuan në prishjen përfundimtare të marrëdhënies mes trajnerit dhe sulmuesit argjentinas, deri në heqjen e shiritit të kapitenit. Fjalët e Spalletti-t në autobiografinë e tij e dëshmojnë qartë atë çarje të thellë.
Në shkurt, Juventus–Galatasaray nuk do të jetë thjesht një duel për kualifikim, por edhe një përballje emocionesh, kujtimesh dhe “fantazmash” që premtojnë shkëndija të forta.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: