Djokovic: Ndeshje surreale, Sinner më çoi në limit, vetëm kështu mund ta mposhtja

Djokovic: Ndeshje surreale, Sinner më çoi në limit, vetëm kështu mund ta mposhtja

16:35, 30/01/2026

Pas katër orësh emocionesh të forta, Novak Djokovic ishte ai që triumfoi ndaj Jannik Sinnerit dhe siguroi finalen e Australian Open 2026. Tenisti serb 38-vjeçar firmosi edhe një tjetër arritje madhore në karrierën e tij të jashtëzakonshme, duke arritur finalen e 38-të në Grand Slam, ku do të përballet me Carlos Alcaraz.

Djokovic u rezistoi problemeve fizike, lodhjes dhe diferencës së moshës me rivalin e tij për ta fituar sfidën në pesë sete. “Nuk po arrij as të gjej fjalët e duhura, gjithçka më duket surreale. Është ora dy e natës dhe m’u duk sikur po rijetoja finalen e vitit 2012, që zgjati gati gjashtë orë. Për cilësinë e lojës dhe intensitetin, e dija se do të kisha një shans për ta mundur vetëm nëse luaja në këtë nivel. Ai kishte fituar pesë ndeshjet e fundit kundër meje”, u shpreh Djokovic.

Më pas, serbi bëri edhe një shaka të drejtuar për Sinnerin: “Në fund të ndeshjes, te rrjeta, e falënderova që më lejoi të fitoj të paktën një herë. Kam respekt të madh për të, është një lojtar i jashtëzakonshëm që të çon në limit dhe meriton një duartrokitje të madhe. Sinner dhe Alcaraz luajnë në një nivel shumë të lartë, por nuk është e pamundur t’i mposhtësh. Edhe unë mund të jem në atë nivel”.

Në fund, Djokovic falënderoi publikun australian: “Nuk mund ta falënderoj sa duhet publikun, e adhuroj këtë lloj pasioni. Atmosfera e sonte ishte ndoshta më e bukura që kam ndier që kur luaj në Australi”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco