VIDEO/ Trubin rrëfen natën magjike të Benfikës: Mendova se ishim kualifikuar, pastaj më thanë të shkoja në zonë

VIDEO/ Trubin rrëfen natën magjike të Benfikës: Mendova se ishim kualifikuar, pastaj më thanë të shkoja në zonë

08:49, 29/01/2026

Anatoliy Trubin është shndërruar në heroin më të papritur të një mbrëmjeje krejtësisht të çmendur në Ligën e Kampionëve. Portieri i Benfikës realizoi golin vendimtar në minutat shtesë kundër Real Madridit, duke vulosur fitoren 4-2 dhe duke i hapur portat e “playoff”-it skuadrës portugeze, ndërsa në të njëjtën kohë dënoi Olympique Marseille me eliminim.

Një goditje me kokë perfekte, tipike për një sulmues të mirëfilltë, ndryshoi fatin evropian të disa skuadrave brenda pak sekondash. Paradoksalisht, vetë Trubin nuk ishte plotësisht i vetëdijshëm për situatën në renditje pak çaste para golit. Pasi kishte bllokuar një top të lartë, portieri ukrainas kishte qëndruar i shtrirë në tokë për të fituar kohë, i bindur se rezultati ishte i mjaftueshëm për kualifikim.

Goli i pabesueshëm i Trubin

“Para golit nuk e kuptoja saktësisht se çfarë na duhej,” tregoi Trubin. “Në goditjen e fundit të dënimit pashë të gjithë që më bënin me shenjë, edhe trajnerin. U ngjita pa u menduar shumë dhe më thanë se na duhej edhe një gol.” Një moment surreal, të cilin ai e përjetoi pothuajse pa e kuptuar plotësisht rëndësinë e tij.

“Nuk jam mësuar të shënoj gola, për mua ishte diçka krejtësisht e re. Jam 24 vjeç dhe është hera e parë. Është e pabesueshme,” u shpreh Trubin, duke shtuar se nuk ishte stërvitur kurrë për një situatë të tillë. Ish-portieri i Shakhtar Donetsk-ut vlerësoi edhe forcën mendore të Benfikës: “Nuk patëm frikë. Real Madridi ka fituar 15 Champions, kjo flet vetë. Por ne jemi Benfika dhe luajtëm për të fituar.”

 

Një fitore e ndërtuar me guxim ndaj një kundërshtari plot ‘yje’, përfshirë Mbappé-në, dhe që tani hap skenarë emocionues për Benfikën. Çfarëdo që të ndodhë më pas, kjo natë do të mbetet gjatë në kujtesën e Ligës së Kampionëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco