Tsimikas përlotet për vdekjen e tifozëve të PAOK-ut: Kjo tragjedi prek të gjithë Greqinë

Tsimikas përlotet për vdekjen e tifozëve të PAOK-ut: Kjo tragjedi prek të gjithë Greqinë

21:13, 28/01/2026

Në prag të sfidës së Ligës së Evropës mes Panathinaikosit dhe Romës, Kostas Tsimikas po përjeton emocione të forta. Anësori grek rikthehet në atdheun e tij për një ndeshje të veçantë dhe ishte i pranishëm në konferencën për shtyp përkrah trajnerit Gian Piero Gasperini, ku konfirmoi gjithashtu dëshirën për të vijuar aventurën e tij me klubin verdhekuq.

Por konferenca mori një ton krejt tjetër, kur Tsimikas u ndal te tragjedia e rëndë që goditi tifozët e PAOK-ut, një ngjarje që ka tronditur mbarë opinionin publik grek.

Një udhëtim drejt Lyonit, që duhej të ishte një festë për futbollin, u kthye në një makth për një grup prej dhjetë tifozësh të PAOK-ut.

Një aksident i rëndë automobilistik u mori jetën menjëherë shtatë prej tyre, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur rëndë.

I dukshëm i prekur emocionalisht, Tsimikas foli me zë të dridhur në sallën e shtypit: “Nuk kam fjalë për atë që ndodhi. Është shumë e trishtueshme për të gjithë grekët. Shpresoj që Zoti t’u japë familjeve të viktimave forcën që u nevojitet dhe që të plagosurit të shërohen sa më shpejt”.

Ai theksoi se kjo tragjedi ka prekur mbarë kombin, pavarësisht ndarjeve klubesh: “Kjo tragjedi prek të gjithë Greqinë, më prek edhe mua, edhe pse aktualisht nuk jetoj atje. E pashë gjithçka drejtpërdrejt dhe jam pa fjalë. Jam shumë i trishtuar. Shpresoj që familjet e viktimave të gjejnë forcën për të ecur përpara”.

Një moment reflektimi dhe dhimbjeje, që e vendos futbollin në plan të dytë dhe rikujton se jeta është gjithmonë mbi çdo rivalitet sportiv.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco