Klubet elitare të futbollit evropian po arkëtojnë shifra marramendëse nga Liga e Kampionëve 2025-2026, ku çdo fitore dhe çdo hap përpara në turne përkthehet drejtpërdrejt në miliona euro.
Sistemi i ri financiar i UEFA-s e ka bërë garën jo vetëm sportive, por edhe një minierë ari për klubet më të mëdha të kontinentit.
Që në fazën fillestare, secili nga 36 ekipet pjesëmarrëse përfiton 18.62 milionë euro si pagesë bazë.
Këto të ardhura rriten ndjeshëm në varësi të fitoreve, renditjes përfundimtare dhe avancimit në fazat eliminatore.
Arsenal në krye, gjigantët pas tij
Arsenali kryeson aktualisht listën e përfituesve. Me shtatë fitore radhazi, skuadra e Mikel Artetës ka siguruar rreth 33 milionë euro, duke përfshirë të gjitha bonuset e mundshme dhe shpërblimin për renditjen mes tetë skuadrave më të mira. Pas londinezëve vijnë Bajerni i Mynihut, ndërsa Real Madridi, Barcelona dhe Atlético Madridi mbeten gjithashtu në grupin e klubeve me fitime të larta.
Në anën tjetër të spektrit janë ekipet me rezultate më modeste. Vijarreali, për shembull, ka arkëtuar rreth 20 milionë euro, ndërsa klube si Karabagu, falë formulës së re të shpërndarjes, mund të arrijnë deri në 30 milionë euro, pavarësisht diferencës së madhe sportive.
Sa vlen çdo fazë e turneut?
Avancimi në fazat pasuese rrit ndjeshëm fitimet:
1/8 e finales: 11 milionë euro
Çerekfinale: 12.5 milionë euro
Gjysmëfinale: 15 milionë euro
Finale: 18.5 milionë euro
Fituesi i turneut: +6.5 milionë euro shtesë
Kombinimi i të ardhurave
Një rol kyç në shpërndarjen e të ardhurave luan e ashtuquajtura “shtylla e vlerës”, e cila kombinon të ardhurat nga tregu televiziv dhe koeficientin 10-vjeçar të UEFA-s.
Ky mekanizëm ka favorizuar ndjeshëm PSG-në, e cila sezonin e fundit përfitoi mbi 45 milionë euro vetëm nga ky burim, duke lënë pas klube si Real Madridi, Bajerni apo Barcelona.
Përveç kësaj, 25% e të ardhurave totale vjen nga tregjet jo-evropiane të transmetimit televiziv dhe shpërndahet sipas koeficientit historik të klubeve.
Në këtë renditje, Real Madridi kryeson dhe përfiton maksimumin prej 12.45 milionë euro, i ndjekur nga Bajerni i Mynihut me 12.10 milionë euro, Mançester Siti, PSG dhe Barcelona.
Futboll për elitat
Sistemi i ri financiar e konfirmon edhe një herë Ligën e Kampionëve si një garë gjithnjë e më elitare, ku klubet e mëdha jo vetëm dominojnë në fushë, por edhe mbushin arkat, duke thelluar ndjeshëm hendekun ekonomik me pjesën tjetër të Evropës futbollistike.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: