Çështja e Sergio Ramos-it si pronar i mundshëm i ri i Sevilla-s po fillon të bëhet më shumë se një thjesht sugjerim. ‘The Athletic’ ka zbuluar disa detaje rreth idesë së mbrojtësit, i cili aktualisht është i lirë nga kontratat. Ramos pritet të udhëheqë një grup investitorësh të huaj, të cilët kanë ofruar një shumë rreth 400 milionë euro për të marrë pronësinë e klubit.
Ramos, i cili u rikthye te Sevilla në sezonin 2023-24 dhe sapo përfundoi periudhën e tij te Rayados de Monterrey në kampionatin meksikan, nuk do të jetë investitori kryesor në këtë operacion. Mes pjesëmarrësve do të ketë edhe një fond amerikan. Oferta është për blerjen e 100% të kapitalit social të Sevilla-s, por do të jetë e varur nga një vlerësim i detyrimeve aktuale të klubit, në pritje të një auditimi të jashtëm.
Sipas ‘The Athletic’, pyetja kryesore lidhet me vlerësimin e huasë që CVC Capital Partners u ka dhënë shumicës së klubeve të LaLiga-s në vitin 2021, përfshirë Sevilla-n, dhe nëse kjo konsiderohet si një borxh. Klubi mendon se kjo huadhënie nuk është pjesë e borxhit, por në rast të kundërt mund të ndikojë në shumën totale të ofertës. Oferta e udhëhequr nga Ramos është një nga tri propozimet që ka marrë klubi.
Një nga pikat kyçe të ofertës së Ramos-it dhe grupit të investitorëve është se 400 milionë eurot do të shkojnë për “vlerën e biznesit” të klubit, pra nuk përfshin një injeksion kapitali për të shlyer llogaritë dhe për të nisur “nga zero”. Ky aspekt mund të përbëjë një pengesë, pasi qëllimi i Sevilla-s me një shitje të mundshme është të rikuperojë fuqinë ekonomike për t’u rikthyer sa më shpejt te sukseset sportive.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: