Futbolli bullgar dhe ai botëror janë në zi. Dimitar Penev, ish-trajneri legjendar që udhëhoqi Bullgarinë drejt një prej surprizave më të mëdha në historinë e Kampionateve Botërore, është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë.
Lajmi u bë i ditur nga Federata Bullgare e Futbollit, e cila njoftoi zyrtarisht vdekjen e ish-komisarit teknik, një prej figurave më të shquara të futbollit në vend. Emri i Penev-it mbetet i lidhur përgjithmonë me Botërorin e vitit 1994 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Bullgaria arriti deri në gjysmëfinale dhe e mbylli turneun në vendin e katërt, rezultati më i madh në historinë e saj.
Para se të shkëlqente si trajner, Dimitar Penev la gjurmë të thella edhe si futbollist. I konsideruar si një nga mbrojtësit më të mirë bullgarë të të gjitha kohërave, ai zhvilloi 364 ndeshje kampionati me CSKA Sofia, duke realizuar edhe 25 gola, një shifër e rëndësishme për një lojtar të repartit mbrojtës.
Me kombëtaren bullgare, Penev numëron 90 paraqitje dhe përfaqësoi vendin e tij në tri Kampionate Botërore si lojtar, përpara se ta drejtonte atë drejt lavdisë si trajner.
Trashëgimia e Dimitar Penev-it mbetet e paharrueshme: një simbol i suksesit, krenarisë dhe identitetit të futbollit bullgar.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: