Situata në shtëpinë e Manchester United duket gjithnjë e më e ndërlikuar, me raportime nga media angleze që flasin për një klimë tensioni mes trajnerit Ruben Amorim dhe drejtorit të futbollit, Jason Wilcox. Shkak i kësaj situate është merkatoja e dimrit, ku deri tani nuk priten përforcime konkrete për skuadrën.
Sipas ‘The Times’, trajneri portugez ka shprehur qartë dëshirën për të forcuar ekipin gjatë janarit, por drejtuesit e klubit nuk janë të bindur për ndërhyrje në treg. Një situatë që ka shtuar pakënaqësinë e Amorim, sidomos duke pasur parasysh numrin e madh të mungesave në skuadër.
Manchester United po përballet me një valë dëmtimesh, pasi lojtarë kyç si Matthijs de Ligt, Harry Maguire, Kobbie Mainoo, Bruno Fernandes dhe Mason Mount kanë probleme fizike. Ndërkohë, Bryan Mbeumo, Noussair Mazraoui dhe Amad Diallo janë të angazhuar me kombëtaret e tyre në Kupën e Afrikës (CAN), duke e reduktuar edhe më shumë alternativat në dispozicion të trajnerit.
Vetë Amorim, në një deklaratë të fundit, la të kuptohet pakënaqësia e tij: “Nëse shihni skuadrën, mendoj se është e pamundur që dikush të largohet. Duhet të flisni me Jason”, deklaratë që në Angli u interpretua si një sinjal i qartë për mospajtimet e brendshme.
Edhe pse disa emra janë përmendur si objektiva të mundshëm, realiteti mbetet i paqartë. Afati i merkatos në Angli mbyllet më 2 shkurt dhe mbetet për t’u parë nëse Manchester United do të reagojë për t’i dhënë Amorim-it përforcimet që kërkon, apo tensionet do të thellohen edhe më shumë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: