Napoli, sulmohet vëllai i Fabio Pisacane-s: i plagosur me armë zjarri, policia nis hetimet

Napoli, sulmohet vëllai i Fabio Pisacane-s: i plagosur me armë zjarri, policia nis hetimet

08:57, 04/01/2026

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Napolin gjatë natës, ku vëllai i trajnerit të Cagliari-t, Fabio Pisacane, është sulmuar me armë zjarri në qendër të qytetit. Incidenti ka ndodhur mes Lagjeve Spanjolle dhe rrugës Via Toledo, pranë aktivitetit tregtar të familjes Pisacane.

Bëhet fjalë për Gianluca Pisacane-n, 27 vjeç, i cili është qëlluar dy herë në këmbë nga tre persona. I riu u transportua menjëherë në urgjencën e spitalit “Pellegrini”, ku mjekët konfirmuan se, fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në momentet e para u përfol se në vendngjarje ndodhej edhe babai i familjes Pisacane dhe se ai ishte dhunuar, por vetë Fabio Pisacane e ka mohuar këtë version, duke sqaruar se i ati nuk ka qenë i përfshirë në incident.

Familja nuk ka depozituar ende një kallëzim zyrtar, por Policia e Shtetit ka nisur hetimet. Forcat e rendit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve përreth, me qëllim rindërtimin e plotë të dinamikës së sulmit dhe identifikimin e autorëve.

Sipas të dhënave të para nga ‘Squadra Mobile’ e Napolit, pista e grabitjes nuk duket bindëse. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që agresorët të kenë pasur si objektiv arkën e mbrëmjes së lokalit “Pisadog19 Spritz”, i menaxhuar nga familja Pisacane.

Hetimet vijojnë, ndërsa komuniteti sportiv ka shprehur solidaritet për familjen e trajnerit të Cagliari-t pas këtij episodi të rëndë.

Një ngjarje e rëndë, që hedh hije mbi klimën përreth skuadrës dhe rikthen në vëmendje problemin e dhunës në futboll.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco