Barcelona ka arritur një fitore të rëndësishme në nisje të vitit 2026, duke triumfuar 0-2 në transfertën e vështirë ndaj Espanyol-it, në një derbi katalanas që u karakterizua nga shumë vuajtje për skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick.
Nuk ishte aspak një paraqitje bindëse për katalanasit, të cilët gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes u gjendën nën presionin e vendasve. Espanyol krijoi disa raste të pastra shënimi, por Barcelona u shpëtua në mënyrë të përsëritur nga një Joan Garcia në formë të jashtëzakonshme. Portieri zhvilloi një ndeshje të madhe, duke reaguar me siguri dhe refleks në momentet më delikate. Duhet theksuar se gjatë gjithë takimit ai ishte në shënjestër të fishkëllimave dhe koreve të tifozëve të Espanyol-it, të cilët e cilësojnë si tradhtar pas kalimit të tij te Barcelona, por kjo nuk ndikoi aspak në përqendrimin e tij.
Zhbllokimi i rezultatit erdhi vetëm në minutën e 86-të. Dani Olmo, i aktivizuar nga stoli, realizoi një gol spektakolar me të djathtën nga jashtë zone, pas një asistimi shumë të bukur të Fermin Lopez, i cili po ashtu hyri në lojë në pjesën e dytë.
Vetëm tri minuta më vonë, Fermin Lopez u shndërrua sërish në protagonist, duke shërbyer këtë herë për Robert Lewandowski-n. Sulmuesi polak nuk gaboi dhe me qetësi e dërgoi topin në rrjetë, duke vulosur fitoren 0-2 për Barcelonën.
Me këtë sukses, Barcelona ngjitet në kuotën e 49 pikëve dhe ruan vendin e parë në renditje, duke ushtruar presion mbi Real Madridin, i cili do të përballet nesër me Betis.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: