Real Madridi vazhdon të forcojë pozicionin e tij si një nga klubet më të fuqishme dhe më tërheqëse në botë edhe jashtë fushës së lojës. Klubi madrilen ka zyrtarizuar një marrëveshje bashkëpunimi strategjik global me Roborock, prodhuesin kinez të robotëve aspirues, i pranishëm aktualisht në mbi 40 vende të botës.
Marrëveshja u firmos këtë të premte në Ciudad Real Madrid, në praninë e drejtorit të Marrëdhënieve Institucionale të klubit, Emilio Butragueño, dhe presidentit të Roborock, Quan Gang. Sipas akordit, Roborock do të ketë një prani të spikatur në asetet kryesore të Real Madridit deri në vitin 2028, si dhe do të zhvillohen iniciativa të përbashkëta marketingu dhe komunikimi në shkallë globale.
“Si liderë globalë në fushën e pastrimit inteligjent, jemi krenarë të bashkëpunojmë me Real Madridin, një klub që përfaqëson standardin më të lartë të ekselencës, saktësisë dhe ndjekjes së pandërprerë të madhështisë,” deklaroi Quan Gang, duke theksuar se përdoruesit dhe tifozët i motivojnë të vazhdojnë të rrisin standardet.
Roborock është një markë në rritje të vazhdueshme. Në vitin 2024, sipas të dhënave të konsulencës IDC, ajo u shpall marka më e shitur në botë e robotëve aspirues, me produkte të pranishme në mbi 22 milionë shtëpi në mbarë globin.
Kompania kineze i bashkohet kështu një portofoli shumë të gjerë sponsorësh të Real Madridit, që përfshin më shumë se 35 partnerë kombëtarë dhe rajonalë. Klubi parashikon një rritje prej rreth 7% të të ardhurave nga sponsorizimet gjatë këtij sezoni. Vetëm sezoni i kaluar, të ardhurat nga sponsorizimet dhe licencat tregtare i sollën Real Madridit mbi 300 milionë euro, një tjetër dëshmi e fuqisë ekonomike dhe tërheqjes globale të klubit mbretëror.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: