Largimi i papritur i Enzo Maresca-s nga Chelsea erdhi pas bisedimeve që trajneri italian kishte zhvilluar me figura të lidhura me Manchester Cityn, për një zëvendësim të mundshëm të Pep Guardiolës. Maresca, i cili kishte qenë asistent i Guardiolës në sezonin 2022–23, i kishte informuar drejtuesit e Chelsea-t se ishte diskutuar si kandidat në rast largimi të spanjollit në fund të sezonit. Kjo situatë ka shtuar pasigurinë në ‘Stamford Bridge’, ku marrëdhënia mes trajnerit dhe bordit ishte krisur prej javësh.
Edhe pse kishte pakënaqësi për disa zgjedhje taktike gjatë ndeshjeve, problemi kryesor lidhej me sjelljen e Maresca-s jashtë fushës. Deklaratat e tij enigmatike për “48 orët më të këqija” pas fitores ndaj Evertonit në dhjetor u panë si shenjë e një pakënaqësie më të thellë. Burime pranë klubit bëjnë me dije se Maresca tentoi të përdorte interesimin e Juventusit dhe Manchester City-t si presion për të rinegociuar kontratën, e cila skadonte në vitin 2029, por Chelsea refuzoi të hapte bisedime.
Një tjetër pikë përplasjeje ishte menaxhimi i lojtarëve të dëmtuar. Maresca kërkonte më shumë liri për të anashkaluar këshillat e stafit mjekësor, ndërsa klubi kishte vendosur protokolle strikte rotacioni për të mbrojtur lojtarë si Reece James, Wesley Fofana dhe Cole Palmer. Disa vendime të trajnerit, si aktivizimi i James në tri ndeshje të plota brenda një jave, u panë negativisht nga drejtuesit.
Forma e skuadrës u përkeqësua, me Chelsea-n që humbi shumë pikë nga pozita fituese dhe përjetoi reagime negative nga tifozët, përfshirë fishkëllima pas barazimit me Bournemouth. Tensioni u rrit edhe më shumë kur Maresca refuzoi të mbante një konferencë për shtyp, duke lënë asistenti i tij të fliste me mediat.
Chelsea dhe Maresca u ndanë zyrtarisht më 1 janar 2026, me klubin që deklaroi se një ndryshim ishte i nevojshëm për të rikthyer sezonin në binarë. Tani londinezët po kërkojnë trajnerin e pestë të përhershëm që nga viti 2022, me emra si Liam Rosenior dhe Francesco Farioli në garë për stolin blu.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: