Juventusi do ta inaugurojë vitin 2026 në shtëpi kundër Lecces. “Zonja e Vjetër” është në kërkim të suksesit të pestë radhazi në të gjitha kompeticionet dhe do të përpiqet ta arrijë këtë objektiv edhe falë Edon Zhegrovës. Kosovari e mbylli shumë mirë vitin, duke ndryshuar në fakt rrjedhën e ndeshjes ndaj Pizës, dhe tani po këmbëngul fort për ta nisur nga minuta e parë përballjen me salentinët.
Deri tani këtë sezon, Zhegrova ka luajtur vetëm 174 minuta, por pas një fillimi të vështirë, edhe për shkak të gjendjes jo optimale fizike, ai po rritet nga ana atletike ndeshje pas ndeshjeje. Ish-lojtari i Lille ka startuar vetëm një herë nga minuta e parë këtë sezon, konkretisht kundër Pafos në Champions League, ndërsa në pjesën tjetër të rasteve ka hyrë si zëvendësues. Por ndaj Lecces, të shtunën më 3 janar, gjërat mund të ndryshojnë.
Hyrja e shkëlqyer ndaj Pizës nuk ka kaluar pa u vënë re nga Spalletti, i cili nesër në konferencën për shtypin (ora 16:00) mund të zbulojë diçka më shumë rreth aktivizimit të Zhegrovës. Për më tepër, me Conceiçao-n jo në formë të plotë (është bashkuar me grupin vetëm sot), kosovari mund të ketë vërtet shanse të mira për të qenë pjesë e formacionit titullar.
Edhe “Allianz Stadium” mezi pret ta shohë në aksion Zhegrovën. Kosovari, nëse është i gatshëm fizikisht, mund të shndërrohet vërtet në blerjen e re dimërore të Juventusit: ajo armë shtesë e aftë të përziejë letrat dhe të bëhet vendimtare për Zonjën e Vjetër.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: