Luciano Spalletti po lë një gjurmë të dukshme në pankinën e Juventusit dhe drejtuesit bardhezinj duket se janë të bindur për ta vazhduar bashkëpunimin me trajnerin italian përtej afatit aktual. Pavarësisht se kontrata e tij skadon zyrtarisht në fund të sezonit, me një klauzolë rinovimi automatik në rast kualifikimi në Champions League, në Torino po piqet një projekt shumë më ambicioz.
Sipas asaj që raporton ‘La Gazzetta dello Sport’, Juventusi ka nisur reflektimet e para për një rinovim të ri me Spalletti-n deri më 30 qershor 2028. Një sinjal i qartë se klubi dëshiron stabilitet dhe vazhdimësi teknike, elemente që konsiderohen thelbësore për ndërtimin e një projekti afatgjatë konkurrues.
Puna e Spalletti-t në këtë fazë të parë te Juventusi është vlerësuar pozitivisht në të gjitha nivelet e klubit. Përmirësimi në identitetin e lojës, menaxhimi i grupit dhe qasja taktike kanë bindur drejtuesit se trajneri aktual është figura e duhur për të udhëhequr procesin e rindërtimit dhe rikthimit të Juventusit në majat e futbollit italian dhe europian.
Ideja e një rinovimi të parakohshëm shihet edhe si një mënyrë për të dhënë një mesazh të fortë besimi, si për skuadrën ashtu edhe për ambientin bardhezi. Pa një horizont të qartë kohor, çdo projekt rrezikon të mbetet i përkohshëm, ndaj vendosja e një afati deri në vitin 2028 do t’i jepte më shumë peshë planifikimit sportiv.
Në këtë këndvështrim, e ardhmja e Spallettit te Juventusi nuk shihet më si një çështje për t’u diskutuar në fund të sezonit, por si një proces që ka nisur që tani. “Martesa” mes trajnerit dhe klubit mund të vazhdojë, me synimin për të ndërtuar një Juventus të fortë dhe të qëndrueshëm në vitet në vijim.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: