Anthony Joshua po përjeton një nga momentet më të errëta të jetës së tij, brenda dhe jashtë ringut. Ish-kampioni botëror i peshave të rënda i mbijetoi për mrekulli një aksidenti të tmerrshëm rrugor në Nigeri, por humbi dy nga njerëzit më të afërt të tij, miqtë dhe bashkëpunëtorët e pandarë, Sina Ghami dhe Latif “Latz” Ayodele. “Ndiej dhimbje në të gjithë trupin”, ka thënë Joshua pas aksidentit fatal, fjalë që pasqyrojnë jo vetëm gjendjen fizike, por edhe barrën e rëndë emocionale që po mbart.
Aksidenti ndodhi të hënën në mëngjes, rreth orës 11:00, në autostradën famëkeqe Lagos–Ibadan, e njohur si “Autostrada e Vdekjes” për shkak të numrit të lartë të viktimave. SUV-i Lexus me të cilin udhëtonin Joshua, dy miqtë e tij dhe shoferi vendas, pësoi shpërthim gome për shkak të shpejtësisë së lartë, humbi kontrollin dhe u përplas me një kamion të ndalur. Sina dhe Latz, të ulur në anën e pasagjerit, humbën jetën në vend, ndërsa Joshua dhe shoferi shpëtuan për pak centimetra.
Boksieri 36-vjeçar u nxor nga rrënojat duke bërtitur nga dhimbja, veçanërisht në këmbë dhe gjunjë. Megjithatë, testet mjekësore nuk konstatuan fraktura. Ai ndodhet ende i shtruar në një spital privat në Lagos, nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore, ndërsa promotorët e tij nga Matchroom kanë konfirmuar se gjendja e tij është e qëndrueshme.
Por shqetësimi më i madh për rrethin e afërt të Joshua-s nuk janë dëmtimet fizike, por plagët mendore. Sina Ghami dhe Latif Ayodele nuk ishin thjesht pjesë e stafit, por shtylla emocionale e karrierës së tij. Sina kishte punuar për më shumë se një dekadë me Joshua-n si trajner force dhe rehabilitimi, duke qenë pranë tij në fitoret më të mëdha, përfshirë titullin botëror kundër Wladimir Klitschko-s në vitin 2017. Latz, nga ana tjetër, ishte mik i hershëm i Joshua-s, shumë përpara famës dhe milionave.
Vetëm dhjetë ditë para tragjedisë, Joshua kishte festuar një fitore fitimprurëse ndaj Jake Paul në SHBA, nga e cila përfitoi rreth 70 milionë paundë. Ai ishte parashikuar të përballej në vitin 2026 me rivalin e përjetshëm Tyson Fury, në një duel që pritej të gjeneronte mbi 100 milionë paundë. Tani, këto plane janë lënë në hije. Burime pranë kampionit thonë se rikthimi i tij në ring është i paqartë, pasi mungesa e dy njerëzve që “ishin gjithmonë në qoshen e tij” ka lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm.
Homazhe kanë ardhur nga e gjithë bota e boksit. Tyson Fury shprehu ngushëllimet e tij, ndërsa Eddie Hearn foli për “dy burra të jashtëzakonshëm”. Në spital, Joshua-s po i qëndron afër nëna e tij, Yeta Odusanya, e cila nxitoi nga Britania për të qenë pranë djalit të saj.
Hetimet për aksidentin vazhdojnë, ndërsa kjo tragjedi ka vënë gjithçka në perspektivë për Anthony Joshua-n. Për herë të parë pas shumë vitesh, e ardhmja e tij sportive nuk varet nga grushtet apo titujt, por nga forca për të përballuar një humbje që nuk shërohet me kohë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: