Një rast i pazakontë ka tronditur opinionin publik në Francë, ku një polic i ngarkuar me sigurinë e kombëtares franceze është ndëshkuar disiplinarisht me pensionim të parakohshëm, pasi kishte pranuar një dhuratë financiare prej 60.300 eurosh nga Kylian Mbappé. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë AFP-së dhe është konfirmuar edhe nga e përditshmja “Le Monde”.
Ngjarja daton në qershor 2023, kur polici, i caktuar pranë Federatës Franceze të Futbollit (FFF), mori shumën nga kapiteni i përfaqësueses franceze. Paratë vinin nga shpërblimet që Mbappé kishte përfituar pas Kupës së Botës 2022. Rasti doli në dritë në korrik 2024, kur një bankier raportoi transaksionin, duke çuar në hapjen e një hetimi gjyqësor.
Avokati i policit ka këmbëngulur se dhurata ishte plotësisht e ligjshme, e dhënë me çek dhe, sipas tij, nuk kishte detyrim për t’u deklaruar. Megjithatë, edhe pse Inspektorati i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare (IGPN) nuk kishte vendosur sanksion në tetor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Kombëtare (DGPN) vendosi më 20 dhjetor pensionimin e parakohshëm, për shkak të mosnjoftimit të eprorëve për këtë dhuratë.
Polici, mik i familjes Mbappé, kishte kërkuar vetë pensionimin dhe pritej të largohej zyrtarisht më 31 dhjetor. Sipas burimeve, ai pritet të punësohet përkohësisht nga FFF për Kupën e Botës 2026.
Hetimet për punë të padeklaruar dhe pastrim parash vazhdojnë, ndërsa përfaqësuesit e Mbappé-së theksojnë se gjithçka është kryer sipas rregullave dhe pa asnjë formë kundërshpërblimi.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: