Mbrëmja në NBA solli rezultate befasuese dhe paraqitje dominuese nga disa prej ekipeve kryesore të kampionatit. Në qendër të vëmendjes ishin Los Angeles Lakers, të cilët u turpëruan në fushën e tyre, duke u mposhtur bindshëm 128-106 nga Detroit Pistons, skuadra që po udhëheq renditjen në Konferencën e Lindjes. Lakers nuk arritën kurrë ta gjenin ritmin, ndërsa Detroit kontrolloi ndeshjen nga fillimi deri në fund. Cade Cunningham shkëlqeu për miqtë me 27 pikë, ndërkohë që stoli i Pistons kontribuoi me plot 67 pikë, një tregues i thellësisë dhe formës së shkëlqyer të ekipit.
Fitore të rëndësishme regjistruan edhe Boston Celtics, që triumfuan 129-119 në transfertë ndaj Utah Jazz. Skuadra nga Massachusetts u mbështet te paraqitja e shkëlqyer e dyshes Derrick White – Jaylen Brown, të cilët realizuan së bashku 50 pikë, duke bërë diferencën në momentet vendimtare të sfidës.
Emocione të shumta dhuroi përballja mes Memphis Grizzlies dhe Philadelphia 76ers. Pas kohës shtesë, Philadelphia fituan 139-136, në një ndeshje spektakolare. Tyrese Maxey dhe Joel Embiid ishin protagonistët absolutë, duke shënuar nga 34 pikë secili dhe duke e udhëhequr ekipin drejt suksesit.
Fitore të thellë arritën edhe Los Angeles Clippers, që shkatërruan 131-90 Sacramento Kings. Kawhi Leonard ishte lideri i ekipit me 33 pikë, ndërsa Clippers dominuan në çdo aspekt të lojës.
Rezultatet:
Memphis – Philadelphia 136-139
Utah Jazz – Boston 119-129
Lakers – Detroit 106-128
Clippers – Sacramento 131-90
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: