Lajmi i fundit

Aksident tragjik në aksin Korçë–Ersekë, humb jetën një fëmijë! E përplasi makina

Mesazhi prekës/ Ish-tenisti në luftë për mbrojtjen e Ukrainës: Dëshira ime e vetme është të mbijetoj

Mesazhi prekës/ Ish-tenisti në luftë për mbrojtjen e Ukrainës: Dëshira ime e vetme është të mbijetoj

16:44, 30/12/2025

Aleksandr Dolgopolov, ish-tenist ukrainas dhe dikur numri 13 i botës, prej gati tre vitesh është pjesë e mbrojtjes së Ukrainës në luftën kundër agresionit rus.

Në një intervistë të gjatë për revistën gjermane Der Spiegel, të transmetuar edhe nga Večernji list, ai rrëfen se si jeta e tij ka ndryshuar rrënjësisht nga bota e sportit elitar në realitetin e luftës.

Dolgopolov, i cili në karrierën e tij kishte arritur çerekfinalen e Australian Open dhe kishte mposhtur dy herë Rafael Nadalin, e përfundoi karrierën sportive në vitin 2021 për shkak të një dëmtimi.

Vetëm disa muaj më pas, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, ai u kthye vullnetarisht në atdhe dhe iu bashkua ushtrisë.

“Jeta ime sot është krejtësisht e kundërt nga ajo e një sportisti profesionist. Ajo që më mungon më shumë është paqja e brendshme dhe një ditë pa lajme për vdekjen e fëmijëve, civilëve dhe shokëve e të afërmve”, thotë ai.

Ish-tenisti shërbeu si pilot dronësh, duke ndihmuar në mbledhjen e informacioneve nga terreni dhe koordinimin e veprimeve ushtarake.

Ai pranon se ka qenë shpeshherë në rrezik dhe se lufta i ka ndryshuar plotësisht këndvështrimin për jetën.

“Problemet që kisha dikur në tenis sot më duken të parëndësishme. Sporti është vetëm lojë. Kur përballesh me humbjen e njerëzve pranë teje, gjithçka ndryshon”, shprehet Dolgopolov.

Ai thekson se përvoja nga sporti elitar e ka ndihmuar edhe në luftë, sidomos përqendrimi, reagimi i shpejtë dhe ruajtja e qetësisë në situata të vështira – aftësi që, sipas tij, janë të domosdoshme si në tenis ashtu edhe në fushën e betejës.

Dolgopolov mbështet fuqishëm Ukrainën dhe shprehet skeptik ndaj ideve për uljen e moshës së rekrutimit, duke theksuar se vendit i duhen më shumë armë dhe trajnim më i mirë, jo sakrifikimi i brezit të ri.

Sa i përket së ardhmes, ish-tenisti thotë se nuk bën më plane afatgjata.

“Që kur jam ushtar, jetoj nga dita në ditë. Aktualisht, dëshira ime e vetme është të mbijetoj”, përfundon ai.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco