Ish-sulmuesi italian, Antonio Cassano, ka zbuluar arsyen pse Thiago Silva zgjodhi Porton dhe jo një rikthim sentimental te Milani, edhe pse gjithçka dukej gati për t’u realizuar. Sipas tij, vendimi final u përcaktua nga një “jo” e prerë e trajnerit Massimiliano Allegri.
Vetëm tri ditë pas largimit zyrtar nga Fluminense, mbrojtësi brazilian u prezantua si përforcim i ri i Portos, në një operacion të shpejtë që habiti si mediet braziliane, ashtu edhe ato italiane. Fillimisht, gjithçka e çonte Thiago Silvën drejt “San Siros”, por realiteti mori një kthesë tjetër.
Duke folur për emisionin ‘Viva El Futbol’, Cassano sqaroi prapaskenën:
“Dua t’u them tifozëve të Milanit se Thiago Silva nuk erdhi kryesisht për shkak të Allegrit, i cili e vuri veton ndaj transferimit. Ndërkohë, Zlatan Ibrahimovic e donte me çdo kusht”, u shpreh ish-sulmuesi.
Sipas Cassanos, Ibrahimovic kishte dhënë miratim të plotë për rikthimin e brazilianit, madje edhe me parametra ekonomikë shumë të favorshëm për klubin. Thiago Silva, i vetëdijshëm për situatën, kishte kontaktuar personalisht Allegrin, por përgjigjja e trajnerit ishte e ftohtë: prioriteti i tij ishte përforcimi i repartit ofensiv, konkretisht me Niclas Füllkrug.
“Allegri i mbylli dyert me tre dryna rikthimit të Thiago Silvës”, shtoi Cassano, duke theksuar se veterani brazilian e kishte pranuar edhe rolin e mentorit për lojtarë si Matteo Gabbia, pa pretenduar menjëherë një vend titullari.
Në fund, mungesa e konsensusit brenda Milanit i hapi rrugë Portos. Në moshën 41-vjeçare, Thiago Silva ka zgjedhur sërish Portugalinë, ku synon ta mbyllë karrierën si lider dhe pikë referimi për “dragonjtë”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: