Topi i Artë mbetet çmimi individual më prestigjioz në futboll, por vitet e fundit po shtohet debati mbi peshën reale dhe besueshmërinë e tij. Edhe Cristiano Ronaldo ka shprehur hapur dyshime për kriteret e ndarjes së këtij trofeu, ndërsa koha duket se po i jep argumente kritikëve.
Pas epokës së Lionel Messit dhe Ronaldos, që dominuan skenën për më shumë se një dekadë, fituesit e fundit të Topit të Artë nuk po përjetojnë të njëjtin status në kombëtaret e tyre. Rodri, fituesi i vitit 2024, dhe Ousmane Dembélé, laureati i vitit 2025, rrezikojnë seriozisht të mos jenë titullarë në Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Rodri triumfoi në vitin 2024 përpara Vinícius Júnior, një vendim që shkaktoi polemika të mëdha dhe madje bojkotin e Real Madridit ndaj ceremonisë. Por, që atëherë, mesfushori spanjoll ka kaluar një dëmtim të rëndë në ligamentet e gjurit dhe, edhe pse është rikthyer, nuk po shfaq nivelin e mëparshëm. Në kombëtaren e Spanjës, gjatë kualifikueseve janë konsoliduar emra të tjerë si Martín Zubimendi, Pedri, Dani Olmo apo Fermín López, duke e lënë Rodrin në një rol dytësor.
Situata nuk është më e mirë as për Dembélé-n. Pas fitimit të Topit të Artë në vitin 2025, ai është përballur sërish me dëmtime dhe paqëndrueshmëri në formë. Ndërkohë, Franca ka një repart ofensiv shumë konkurrues me emra si Kylian Mbappé, Hugo Ekitike, Désiré Doué dhe Michael Olise, që po performojnë në nivel të lartë.
Kështu, dy fituesit e fundit të çmimit më të madh individual në futboll rrezikojnë jo vetëm stolin në Botërorin 2026, por edhe vetë ftesën në përfaqësuese. Një paradoks që rihap diskutimin: a përfaqëson ende Topi i Artë realisht lojtarin më vendimtar të momentit?
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: