FIFA ka njoftuar zyrtarisht krijimin e një galeje të re çmimesh, e cila do të organizohet çdo vit duke nisur nga viti 2026 dhe do të ketë si seli Dubain. Lajmi u bë i ditur këtë të hënë nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, gjatë World Sports Summit, të zhvilluar pikërisht në qytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas njoftimit, ceremonia e re do të organizohet në bashkëpunim me Këshillin Sportiv të Dubait dhe synon të sjellë një qasje më moderne dhe gjithëpërfshirëse në vlerësimin e futbollit botëror. Megjithatë, FIFA nuk ka sqaruar ende nëse kjo galë e re do të zëvendësojë ceremoninë aktuale “The Best”, apo nëse do të jetë një aktivitet shtesë krahas çmimeve ekzistuese.
“Ky nuk do të jetë thjesht një event për ndarjen e çmimeve, por një mënyrë inovative për të festuar futbollin dhe për të nderuar lojtarët më të mirë të vitit, si brenda ashtu edhe jashtë fushës”, u shpreh Infantino, duke theksuar se FIFA synon ta shndërrojë këtë galë në një pikë referimi globale për sportin më popullor në botë.
Vendimi për ta zhvilluar ceremoninë në Dubai lidhet edhe me ambicien e FIFA-s për ta zgjeruar më tej ndikimin e saj global dhe për të përfshirë rajone që po investojnë gjithnjë e më shumë në sport dhe futboll. Dubai, në vitet e fundit, është shndërruar në një qendër të rëndësishme për evente sportive ndërkombëtare.
Në ceremoninë më të fundit “The Best”, të mbajtur vetëm pak ditë më parë në Katar, FIFA shpalli fitues francezin Ousmane Dembélé dhe spanjollen Aitana Bonmatí, duke konfirmuar vazhdimësinë e çmimeve aktuale. Mbetet për t’u parë se si do të harmonizohen këto dy formate nga viti 2026 dhe çfarë risish konkrete do të sjellë galaja e re e FIFA-s.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: