Një episod vërtet i pazakontë dhe shqetësues ndodhi vetëm tri sekonda para fundit të pjesës së parë në ndeshjen mes Miami Heat dhe Denver Nuggets. Nikola Jokic, ‘ylli’ absolut i Nuggets, u detyrua të braktiste parketin duke çaluar, pas një dëmtimi të dukshëm në gjurin e majtë, i shkaktuar pa dashje nga një shok skuadre.
Pavarësisht humbjes së thellë 147-123, Jokic kishte zhvilluar edhe një herë një pjesë të parë brilante: 21 pikë, tetë asistime dhe pesë kërcime, duke dhuruar edhe pasime spektakolare pas shpine kundër Heat. Megjithatë, në momentet e fundit të çerekut të dytë, teksa po përpiqej të ndihmonte në mbrojtje, Spencer Jones i shkeli këmbën e majtë. Gjuri i qendrës serbe dukej se “u dorëzua”, dhe Jokic ra menjëherë në parket, duke u kapur nga dhimbja.
Ai u ndihmua të ngrihej dhe u drejtua drejt dhomave të zhveshjes me forcat e veta, por nuk u rikthye në pjesën e dytë. Denver Nuggets nuk dhanë menjëherë detaje për shkallën e dëmtimit, por humbja e mundshme e Jokic për disa ndeshje do të ishte një goditje shumë e rëndë. MVP-ja e trefishtë është sërish në garë për çmimin më të lartë individual këtë sezon, me mesatare prej 29.9 pikësh, 12.4 kërcimesh dhe 11.1 asistimesh për ndeshje.
Situata bëhet edhe më delikate për Nuggets, të cilët këtë sezon janë përballur me shumë dëmtime. Në Miami mungonin tre titullarë: Christian Braun, Aaron Gordon dhe Cam Johnson. Deri tani, skuadra ka arritur të përballojë këto vështirësi kryesisht falë Jokic.
Sipas trajnerit David Adelman, Jokic do t’i nënshtrohet një rezonance magnetike, e cila do të sqarojë gjendjen e gjurit të majtë. “Jam më shumë i shqetësuar për të si person dhe për zhgënjimin që po përjeton,” u shpreh ai, duke theksuar se përgjigjet do të vijnë shumë shpejt.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: