Mario Mitaj po jeton një moment të artë me fanellën kuqezi. Mbrojtësi i majtë i Kombëtares shqiptare është përzgjedhur nga “Sofascore” në formacionin ideal të fazës kualifikuese të Botërorit, duke u renditur si lojtari më i mirë në pozicionin e tij në gjithë kontinentin.
Me një vlerësim mesatar 7.62, Mitaj ka lënë pas emra të mëdhenj të futbollit europian. Formacioni i zgjedhur nga platforma e njohur statistikore përfshin futbollistë nga kombëtaret më të forta si Holanda, Anglia, Portugalia, Spanja, Belgjika dhe Franca.
Ajo që e bën rastin e Mitajt edhe më të veçantë është fakti se ai është i vetmi lojtar i formacionit që nuk luan në Europë, por aktivizohet në Arabinë Saudite me Al Ittihad. Pavarësisht kësaj, paraqitjet e tij me Shqipërinë kanë qenë të një niveli shumë të lartë, duke e shndërruar në një pikë të fortë të krahut të majtë të mbrojtjes.
Kjo përzgjedhje konfirmon edhe një herë se Mitaj jo vetëm që ka bërë një sezon të shkëlqyer me Kombëtaren, por është edhe një nga mbrojtësit e majtë më premtues të futbollit europian.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: