Pesë vite pas tërheqjes nga tenisi profesionist, ish-numri 1 i botës, Lleyton Hewitt, është rikthyer surprizueshëm në konkurrim dhe e ka bërë këtë në mënyrën më të veçantë të mundshme: duke luajtur në dyshe përkrah djalit të tij 16-vjeçar, Cruz. Të dy konkuruan në New South Wales Open, duke arritur një debutim të shkëlqyer me fitore të bindshme.
Hewitt senior dhe junior triumfuan në vetëm 46 minuta lojë, duke mposhtur australianët Hayden Jones dhe Pavle Marinkov me rezultatin dominues 6-1, 6-0. Rikthimi i Lleyton Hewitt në fushë është një surprizë e këndshme për botën e tenisit, veçanërisht duke pasur parasysh se ai i kishte dhënë fund karrierës në singolar që në vitin 2016.
Gjatë karrierës së tij të lavdishme, Hewitt ka fituar dy Grand Slam: US Open në vitin 2001 dhe Wimbledon në vitin 2002. Aktualisht ai mban rolin e kapitenit të Australisë në Kupën Davis, ku vazhdon të jetë figurë e rëndësishme e sportit australian.
Për Cruz Hewitt, fitorja krah të atit erdhi në momentin e duhur, duke e ndihmuar të kalojë zhgënjimin nga humbja në ndeshjen e singolarit kundër japonezit Hayato Matsuoka (7-5, 3-6, 5-7). 16-vjeçari, një prej tre fëmijëve që Lleyton ka me bashkëshorten e tij, ish-aktoren australiane Bec Hewitt, shihet si një talent premtues në rritje.
Rikthimi i Lleyton-it dhe fitorja me të birin u pritën me emocione të veçanta, duke sjellë një moment të rrallë dhe të paharrueshëm në skenën e tenisit australian.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: