Los Angeles Lakers – Utah Jazz 140-126
LeBron James u rikthye dhe ndezi ‘Crypto.com Arena’ në mbrëmjen e tij të debutimit për sezonin e 23-të të karrierës, një tjetër rekord i jashtëzakonshëm për “Mbretin”, i cili afrohet me 41-vjetorin. Starti ishte i qetë, me një top të humbur dhe një gjuajtje të pasaktë, por emocionet u tretën shpejt. Ai e mbylli ndeshjen me 11 pikë dhe 12 asistime, duke shpërthyer në periodën e katërt me 6 asistime dhe disa prej pasimeve më “magjike” që e kanë shoqëruar gjithë karrierën e tij.
Lakers (11-4) e merituan fitoren, ndërsa Jazz (5-9) qenë kundërshtari ideal për rikthimin pas dëmtimit të nervit shiatik. Utah filloi fort, 21-10, dhe mbajti avantazhin deri në pikët nëntë e tetë, kur Luka Donçiç përmbysi rezultatin me 89-88. Donçiç ishte i pandalshëm: 37 pikë në 33 minuta. Në minutat e fundit, LeBron u tërhoq nga loja mes ovacioneve të publikut.
Atlanta Hawks – Detroit Pistons 112-120
Detroit Pistons (13-2) po jetojnë nisjen më të mirë të sezonit që prej vitit 2005-06. Me fitoren e 11-të radhazi, ata kryesojnë Lindjen dhe vazhdojnë të surprizojnë NBA-në. Në Atlanta mposhtën Hawks, të cilët vinin pas pesë fitoreve radhazi.
Cunningham hyri në histori si Pistons-i i parë që regjistron të paktën 25 pikë dhe 10 asistime në pesë ndeshje radhazi. Hawks ishin pa Risacher, Young dhe Porzingis dhe përpjekjet e Jalen Johnson (25 pikë, 9 asistime, 8 topa të kapur) nuk mjaftuan.
Orlando Magic – Golden State Warriors 121-113
Orlando Magic (8-7) arritën fitoren e katërt në pesë ndeshjet e fundit, duke fituar ndaj Golden State Warriors (9-7) falë një sulmi të balancuar. Me gjashë lojtarë që shënuan të paktën 13 pikë, Bane, Black, Franz Wagner, Carter, Da Silva dhe Suggs, Magic funksionoi si një “kooperativë koshash”.
Për Warriors, nga ana tjetër, ishin vetëm Stephen Curry dhe Jimmy Butler, të cilët së bashku realizuan 67 pikë, por ekipi pësoi shumë: 51% të kundërshtarëve nga fusha dhe mungesën e një qendre, që i kushtoi sërish rëndë.
Brooklyn Nets – Boston Celtics 99-113
Boston Celtics (8-7) e siguruan fitoren e tretë radhazi, duke kaluar për herë të parë këtë sezon në bilanc pozitiv. Jaylen Brown shkëlqeu me 29 pikë, ndërsa Payton Pritchard befasoi me 22 pikë dhe 10 topa të kapur. Në periodën e katërt Celtics u shkëputën me 24-14.
Brooklyn Nets (2-12) mbetën pa fitore në shtëpi, 0 nga 7 ndeshje, pavarësisht 25 pikëve të Porterit.
San Antonio Spurs – Memphis Grizzlies 111-101
San Antonio Spurs (10-4) triumfuan ndaj Memphis Grizzlies (4-11) edhe pse ishin pa Victor Wembanyaman, i cili do të mungojë 2-3 javë për shkak të një problemi në pulpë. Spurs ishin pa disa lojtarë, por Fox (26 pikë) dhe Barnes (23 pikë) mjaftuan, sidomos me periodën e fundit 25-14.
Grizzlies luajtën pa Ja Morantin, ndërsa talenti i ri Coward vazhdoi të shkëlqente, por pa mundur të ndryshojë fatin e sfidës.
Portland Trail Blazers – Phoenix Suns 110-127
Phoenix Suns (9-6) fituan bindshëm në Portland falë një periudhe të tretë shtypëse 36-21, edhe pse mungonin Allen dhe Green. Devin Booker dhe Williams ishin të pandalshëm, duke mos e lënë asnjë moment në dyshim rezultatin.
Blazers (6-8) kryen 18 topa të humbur, shenjë e qartë e papjekurisë së ekipit që ende është në proces ndërtimi.
Në këtë natë të NBA-së, rikthimi i LeBron James, forma madhështore e Pistons dhe dominimi i Suns i dhanë spektakël një kampionati që po bëhet çdo ditë e më i paparashikueshëm.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: