Dritat e fundit të eliminatoreve të vitit 2025 janë fikur dhe tanimë dihen 41 nga 48 skuadrat që do të marrin pjesë në Kupën e Botës 2026. Shtatë vendet e mbetura do të përcaktohen në pranverë përmes ndeshjeve play-off. Megjithatë, lista e futbollistëve të mëdhenj që e kanë humbur tashmë çdo shans është e gjatë dhe e dhimbshme.
Më poshtë janë 16 yjet që nuk do të shihen në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Khvicha Kvaratskhelia & Giorgi Mamardashvili – Gjeorgjia
Pas sensacionit në Euro 2024, Gjeorgjia nuk arriti të përsëriste suksesin. ‘Yjet’ e saj të mëdhenj, Khvicha dhe Mamardashvili, nuk mjaftuan. Gjeorgjia e mbylli grupin me vetëm një fitore dhe plot 15 gola të pësuar, duke mos arritur të kualifikohej për turneun e dytë madhor radhazi.
Jan Oblak & Benjamin Šeško – Sllovenia
Në një grup pa favoritë të qartë, pikërisht Sllovenia ishte skuadra që humbi çdo shans. Kosova dhe Zvicra siguruan vendet e para, ndërsa Suedia vazhdon të shpresojë përmes play-off-it. Šeško nuk shënoi asnjë gol në katër paraqitje dhe humbi dy ndeshjet e fundit për shkak dëmtimi. Oblak luajti pesë herë, por nuk mundi të ndalë rënien.
Dominik Szoboszlai & Milos Kerkez – Hungaria
Hungaria ishte vetëm pak sekonda larg play-off-it, por një gol i Irlandës në minutën 90+6’ ua shuajti ëndrrat hungarezëve. Kapiteni Dominik Szoboszlai dha gjithçka: 1 gol dhe 4 asistime në 6 ndeshje. Por sërish nuk mjaftoi. Ky do të jetë Botërori i dhjetë radhazi pa Hungarinë.
Dusan Vlahovic – Serbia
Me emra të njohur në skuadër, Serbia priste më shumë. Vlahovic kontribuoi në një të tretën e golave të ekipit, por Serbia nuk arriti të renditej as e dyta në një grup të dominuar nga Anglia. Ajo që e bën më të vështirë situatën është se Serbia u la pas nga Shqipëria, fakt që u dhemb akoma më shumë tifozëve serbë.
Victor Osimhen & Ademola Lookman – Nigeria
Një prej sulmuesve më në formë në botë, Osimhen, shënoi 8 gola vetëm në këto eliminatore, duke çuar në 31 gola në 46 ndeshje me Nigerinë. E megjithatë, Nigeria do të mungojë në Botëror për të dytin edicion radhazi. Lookman, tashmë 28 vjeç, ndoshta nuk do të ketë më një shans të artë për një Botëror.
Zambo Anguissa, Bryan Mbeumo & André Onana – Kameruni
As Kameruni nuk ia doli. Pasi u eliminua 1-0 nga Kongo DR, ‘yjet’ e tij nuk mundën të bënin asgjë. Anguissa nuk luajti, por Mbeumo dhe Onana ishin titullarë në ndeshjen vendimtare.
Pierre-Emerick Aubameyang – Gabon
Një histori që mund të kishte qenë përrallore: lojtari më i madh në historinë e Gabonit duke çuar vendin e tij në Botërorin e parë. Por humbja 1-4 kundër Nigerisë në shtesë i mbylli dyert. Aubameyang shënoi 7 gola, por as kjo nuk mjaftoi në moshën 36-vjeçare.
Alexis Sanchez & Arturo Vidal – Kili
Edhe pse publiku mendonte se koha e tyre me kombëtaren kishte mbaruar, Sanchez dhe Vidal luajtën në këtë fushatë eliminatore. Por me vetëm 2 fitore dhe 11 humbje, Kili e mbylli në vendin e fundit dhe mungesa në Botëror zgjat që nga viti 2014.
Keylor Navas – Kosta Rika
Në moshën 38-vjeçare, Navas ende ishte titullari i padiskutueshëm. Ai luajti çdo minutë të çdo ndeshjeje, por Kosta Rika nuk mundi të kalonte grupin me Haitin, Hondurasin dhe Nikaraguan. Ky me shumë gjasë ishte shansi i tij i fundit për një paraqitje në Kupën e Botës.
Botërori 2026 do të zhvillohet pa shumë prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror, duke e bërë listën e mungesave thuajse po aq të bujshme sa listën e atyre që do të marrin pjesë. Në pranverë pritet një betejë e madhe në play-off, por për këta 16 lojtarë, ëndrra ka përfunduar tashmë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: