Paolo Maldini ishte një nga të ftuarit kryesorë në edicionin e 40-të të “Premio Viareggio Sport”, ku jo vetëm mori një çmim prestigjioz, por edhe foli gjerësisht për Milanin, situatën te Kombëtarja dhe derbin e ardhshëm. Mesazhi më i fortë i mbrëmjes ishte ai i besnikërisë absolute: “Për mua, si në Itali ashtu edhe jashtë saj, ekziston vetëm Milani.”
Maldini u shpreh me kujdes për momentin e skuadrës kuqezi: “Nuk është gjithmonë e lehtë për mua të flas për Milanin, por më gëzon fakti që ndodhet në pozita të mira në tabelë.” Sa i përket garës për titull, ai vlerësoi rivalët kryesorë: “Napoli, Interi dhe Juventusi do të garojnë deri në finish. Nëse Milani mban këtë ritëm, mund të futet në luftë.”
Për mundësinë e një rikthimi në ndonjë klub tjetër, përgjigjja e Maldinit ishte kategorike: “Në Itali ka vetëm një ekip për mua. Kjo nuk ndryshon, as brenda dhe as jashtë vendit.” Për derbin e afërt, legjenda kuqezi parashikoi një përballje të fortë dhe të balancuar: “Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar. Seritë e fitoreve apo humbjeve nuk kanë shumë peshë në një derbi dhe as nuk vendosin fatin e kampionatit.”
Duke komentuar shkarkimin e Stefano Piolit pas eksperiencës te Fiorentina, Maldini u shpreh: “Më vjen keq që përfundoi kështu. Nga jashtë është e vështirë të kuptosh çdo detaj. Shpresoja të kishte bërë më mirë.” Për zërat që e lidhën me klubin viola, Maldini tregoi me të qeshur: “Më telefonoi kushëriri për të pyetur, por sinqerisht nuk dija asgjë. Nuk kam marrë asnjë sinjal.”
Në lidhje me Kombëtaren italiane, ai shpreson që të rikthehet në Kupën e Botës: “Shpresoj që kjo gjeneratë e re të na dërgojë në Botëror, sidomos për djemtë që nuk e kanë përjetuar kurrë atë emocion.” Për Gennaro Gattuson, që drejton Italinë, Maldini kishte vetëm fjalë pozitive: “Ishte një zgjedhje fantastike. Ai mishëron shpirtin e kombëtares.”
Sa i takon të birit, Daniel Maldini, tashmë pjesë e Atalantës, Paolo komentoi me realizëm: “E nisi si titullar, më pas gjetja e minutave u bë më e vështirë. Daniel ka nevojë të luajë rregullisht.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: