Ishulli i vogël i Karaibeve, Kuraçao, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke u bërë kombi më i vogël në histori që siguron pjesëmarrjen në Kupën e Botës. Barazimi pa gola ndaj Xhamajkës së Steve McClaren mjaftoi që ata të vulosnin kualifikimin e parë në historinë e tyre.
Deri tani, rekordin e mbante Islanda, por Kuraçao, me një popullsi rreth 150 mijë banorë dhe sipërfaqe më të vogël se Isle of Man, ka tejkaluar çdo parashikim. Xhamajka humbi shansin e fundit për t’u rikthyer në Botëror që prej vitit 1998, ndërsa trajneri McClaren dha dorëheqjen menjëherë pas ndeshjes.

Përzgjedhësi i Kuraçaos, Dick Advocaat, i cili nuk ishte i pranishëm në stadium për arsye personale, do të bëhet trajneri më i vjetër në historinë e Botërorit në moshën 78-vjeçare, duke thyer rekordin e Otto Rehhagel. Ishulli, që prej vitit 2010 është shtet brenda Mbretërisë së Holandës, ka bërë një ngritje të jashtëzakonshme nga vendi i 150-të në renditjen e FIFA-s në pozitën e 82-të.
Formula e zgjeruar e Kupës së Botës 2026 me 48 ekipe dhe largimi i vendeve të Kanadasë, Meksikës dhe SHBA-së nga gara kualifikuese u dha atyre më shumë mundësi, por Kuraçao tregoi në fushë se ishte plotësisht i denjë për kualifikim. Ata e mbyllën fushatën me shtatë fitore dhe pa asnjë humbje.
Drama kulmoi në minutën e fundit të kohës shtesë, kur Xhamajka fitoi një penallti, por pas konsultimit me VAR, vendimi u anulua, duke shpëtuar ëndrrën e Kuraçaos.

Mesfushori Juninho Bacuna e cilësoi arritjen si “diçka të pabesueshme”, duke theksuar se të luash në Botëror ishte dikur e paimagjinueshme për ta. Ai vuri në dukje edhe ndikimin e madh të Advocaat-it, i cili solli disiplinë dhe rritje të dukshme në ekip.
Skuadra e Kuraçaos përbëhet kryesisht nga lojtarë të lindur në Holandë me origjinë familjare nga ishulli. Disa prej tyre luajnë në Angli, Skoci apo ligat holandeze, ndërsa prania e talentëve të rinj është rritur ndjeshëm falë progresit të ekipit.
Në Botërorin e vitit 2026, përfaqësuesja e Kuraçaos do të përfaqësojë jo vetëm një vend të vogël, por një histori të madhe këmbënguljeje dhe ëndrrash të realizuara.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: