Mbrojtësi i Kosovës, Mërgim Vojvoda, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e ekipit kombëtar pas barazimit 1-1 kundër Zvicrës, ndeshje e cila tregoi karakterin dhe potencialin e “Dardanëve”.
Zvicra kaloi në epërsi përmes Ruben Vargasit, por reagimi i Kosovës erdhi shpejt, me Florent Muslijën që shënoi një gol spektakolar nga distanca, duke vulosur rezultatin përfundimtar.
“Besoj se kemi pasur shumë dëshirë të tregojmë se jemi në të njëjtin nivel me Zvicrën, pavarësisht se ajo është një Kombëtare shumë e fortë”, tha Vojvoda pas ndeshjes, duke vlerësuar qasjen dhe vendosmërinë e ekipit.
Ai theksoi se pozita aktuale e Kosovës nuk është e rastësishme. “E meritojmë vendin ku jemi. Trajneri ka gjetur formacionin e duhur dhe po përshtatet shumë mirë me secilin prej nesh. Të gjithë kemi dëshmuar se mund të japim kontribut”, shtoi ai.
Vojvoda vuri në dukje rëndësinë e eksperiencës që lojtarët marrin në ligat e mëdha, duke thënë se kjo reflekton drejtpërdrejt te Kombëtarja. “Po mundohemi të përfaqësojmë sa më mirë Kosovën. Sa më shumë që luajmë në kampionate të forta, aq më mirë është për ekipin kombëtar. Sigurisht që ka ende hapësirë për përparim”, u shpreh mbrojtësi.
Kosova ka luajtur në Grupin B së bashku me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë, duke arritur rezultate që e kanë çuar deri në plejofin e Kupës së Botës 2026.
Kundërshtarët e mundshëm të “Dardanëve” në plejof janë: Polonia, Republika Çeke, Uellsi dhe Sllovakia.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: