Kombëtarja e Kosovës ka barazuar 1-1 me Zvicrën në ndeshjen e fundit të ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026, një takim që u shoqërua edhe me momente tensioni nga tribuna.
Në çdo prekje të topit, tifozët kosovarë vërshëlluan drejt Granit Xhakës, yllit shqiptar që prej vitesh është shtylla kryesore e Kombëtares së Zvicrës. Reagim i papritur për mesfushorin, i cili pas ndeshjes pranoi se nuk e kishte menduar se do të përballej me një situatë të tillë.
“Jam i befasuar që jam fishkëllyer. Dhemb, por duhet ta pranoj. Mundohem të fokusohem vetëm te futbolli. Për fat të keq, këto janë pjesë e lojës”, deklaroi Xhaka.
Ai kujtoi se gjithmonë ka pasur përkrahje nga tifozët zviceranë, pavarësisht vendit ku kanë luajtur. “Gjithnjë kam pasur mbështetjen e tifozëve të Zvicrës, në shtëpi dhe jashtë saj.”
Kapiteni i Zvicrës shtoi se skuadra e tij ka arsye të jetë krenare për arritjet radhazi. “Të gjithë që ishin këtu mund të jenë krenarë. Nuk është diçka që merret si e sigurt. Jemi kualifikuar për ngjarje të mëdha për herë të tetë radhazi. Ishte e rëndësishme që kosovarët nuk u futën në lojë me eufori.”
Duke analizuar ndeshjen, Xhaka theksoi se ekipi i tij kishte dominim në fazat e para, por pranoi se situata u rrezikua pas barazimit. “Mentalisht është ende e rrezikshme, sidomos duke e ditur se nuk lejohet të pranosh gjashtë gola. Ishim dominues në pjesën e parë dhe deri te goli. Natyrisht, Kosova u kthye. Në përgjithësi patëm një kampanjë të mirë”, tha ai.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: