Jude Bellingham ‘fluturon’ sërish, një 'mbret' pa “parzmore”

Jude Bellingham ‘fluturon’ sërish, një 'mbret' pa “parzmore”

08:47, 03/11/2025

Jude Bellingham ka rifituar buzëqeshjen. Kjo duket edhe në lojën e tij. Nuk luan më i ngurtësuar, as i bllokuar nga ajo shpatull që në çdo duel i kujtonte se nuk ishte i lirë. Tani fluturon. Pa mburojë. Dhe duke bërë këtë, ka rikthyer atë version të ndritshëm që elektrizoi “Bernabéun” në vitin e tij të parë me të bardhët. Anglezi i ka lënë pas peshat që e frenonin dhe ka rikthyer rolin e liderit që frymëzon shokët dhe komandon ndeshjen.

Kur mbërriti në Madrid, dy sezone më parë, i mbushi valixhet me ëndrra dhe talent. Mori fanellën me numrin 5 dhe nisi një kurs intensiv pranë legjendave Kroos dhe Modric. “Shpresoj të mësoj gjithçka që mundem. Do të mundohem të jem pranë tyre, shpresoj të mos i shqetësoj”, tha në ditën e parë. Ai “master” ndryshoi futbollin e tij dhe e çoi në një nivel tjetër.

Kulmi dhe rënia e përkohshme

Nuk ishin vetëm statistikat (23 gola dhe 13 asistime në 42 ndeshje), por mënyra se si e kuptonte lojën. Eleganca dhe lëvizjet u kujtonin të gjithëve Zidane, kurse personaliteti i tij e bëri idhull të madrilenëve. Real Madridi fitoi Champions-in dhe Bellingham u rendit në Top-3 të Topit të Artë. Kapi majën. Por sfida më e madhe në futboll nuk është të arrish, por të qëndrosh atje. Dhe Jude u pengua, për arsye të veçanta: një dëmtim në shpatull dhe vendimi për të luajtur i sakrifikuar për muaj të tërë.

Me Botërorin e Klubeve si shansi i fundit për të shpëtuar sezonin, ai nuk donte të mungonte në fillimin e epokës së re me Xabi Alonson. E shtyu trupin e vet, edhe pse e dinte se kishte nevojë për pushim. “Kam kohë që pres dhe po humbas durimin. Dua të ndihem i lirë, është lodhje të luash me mbajtëse. Do të operohem pas turneut”, deklaroi. Operacioni do ta largonte për tre muaj, por puna e tij e përkushtuar e shpejtoi rikthimin.

Ai u kthye para kohe dhe futbolli ia kujtoi pa mëshirë pasojat, si në derbin kundër Atleticos. Më pas vendosi të rindërtohej ngadalë. Gjatë pushimit për kombëtaret, ai qëndroi në Valdebebas për t’u rikuperuar dhe plani dha rezultat.

I lirë përsëri, më agresiv, më i pranishëm

“Jam i fortë dhe pozitiv, ndoshta në gjendjen time më të mirë fizike prej kohësh”, tha para “El Clásico”-s. Dhe e vërtetoi në fushë: fillimisht në ‘Coliseum’, pastaj kundër Juventusit dhe mbi të gjitha ndaj Barcelonës. Më i pranishëm, më agresiv, më i lirë. Kundër katalanasve ishte lojtari i Realit me më shumë prekjet e topit (53) dhe gjuajtje (5, njësoj me Mbappé). Po ashtu, i katërti në topa të rikuperuar (5). Tre gola dhe një asist në tri ndeshjet e fundit dhe përshtypja se gjithçka kalon nga këmbët e tij. Në aksionin final mes Arda Güler dhe Mbappé-së, pikërisht ai hapi lojën me një pasim që prishi mbrojtjen dhe ndryshoi ndeshjen.

Xabi Alonso e shpjegoi qartë: “Një gjë është pozicioni i Jude dhe një tjetër ajo që ndodh para se topi të vijë te ai. Kur e gjejmë aty, bëhet më vendimtar. Ka cilësi të luajë më poshtë dhe një ditë do të luajë atje”. Bellingham është rikthyer të jetë krijuesi, dirigjenti, lojtari me liri të zgjedhë dhe të vendosë. Dhe pa parzmore, Jude Bellingham po fluturon sërish.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco