Lamine Yamal rikthehet te buzëqeshja, përgjigje kritikave të forta

Lamine Yamal rikthehet te buzëqeshja, përgjigje kritikave të forta

08:40, 03/11/2025

Lamine Yamal e mbylli ndeshjen në “Santiago Bernabéu” i kritikuar, pasi prej disa sfidash nuk po tregonte versionin e tij më të mirë. Në Madrid, ai pati vështirësi dhe ishte ndoshta lojtari më pak i spikatur i Barcelonës. Gjatë javës, emri i tij qëndroi nën vëmendje, si për paraqitjet në fushë, ashtu edhe për disa çështje personale. Por Lamine Yamal u përgjigj me gol dhe festoi duke treguar stemën dhe madje duke e kafshuar atë. Në stol, Hansi Flick reagoi me entuziazëm të madh.

Sulmuesi i krahut tregoi sërish shkëlqime të talentit të tij. Ai kërkoi lojën, punoi mirë në mbrojtje dhe u pa shumë i motivuar sidomos në pjesën e parë. Në të dytën ra disi në intensitet. Megjithatë, edhe pse bëri një hap përpara, është e vërtetë se ende nuk ka arritur formën e tij më të mirë, atë që mahniti gjithë botën. Pikërisht për këtë foli edhe trajneri Hansi Flick, duke iu referuar problemeve të tij me pubalgjinë. “Duhet menaxhuar dëmtimi i tij, ai ka disiplinë. Do të duhet të stërvitet, të bëjë trajtim... dhe këtë po e bën. Nuk mund të them se dëmtimi ka kaluar, vjen dhe ikën. Ai duhet ta menaxhojë”, u shpreh ai.

Ky problem e shqetëson që nga shtatori dhe nuk e lë të jetë 100%. Në “El Clásico” ai u kritikua, ndërsa kundër Elche-s hyri në fushë me shumë zhurmë mediatike rreth tij, por iu deshën vetëm 9 minuta për të mbyllur çdo diskutim. Pas një asistimi të bukur nga Balde, ai shënoi pa hezitim ndaj Iñaki Peña-s.

Në festim, ai “harroi kurorën” e zakonshme dhe zgjodhi të tregonte sërish stemën e Barcelonës, madje duke e kafshuar, një gjest i fortë i vetëbesimit dhe përgjigjes ndaj kritikëve. Po aq i zjarrtë ishte edhe reagimi i Hansi Flick, i cili kërceu i entuziazmuar në vijën anësore, duke konfirmuar mbështetjen e tij publike për Lamine Yamal.

Goli i katërt sezonal

Ky ishte goli i katërt i Lamine Yamal këtë sezon, por interesant është fakti se nuk kishte shënuar në aksion që nga ndeshja hapëse e LaLigës në Mallorca më 16 gusht. Më pas shënoi ndaj Rayo Vallecano-s dhe Olympiacos-it, por në të dy rastet nga penalltia. Tani, sulmuesi katalanas ka gjetur sërish golin nga loja, një sinjal i qartë se ai po afrohet drejt formës që e shndërroi në sensacion global.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco