Luciano Spalletti debutoi me fitore në stolin e Juventusit, teksa bardhezinjtë triumfuan 2-1 në transfertë ndaj Cremoneses, në ndeshjen hapëse të javës së 10-të të Serie A. Kjo ishte humbja e parë në shtëpi këtë sezon për vendasit, të cilëve nuk u mjaftoi goli i Jamie Vardy.
Juve e nisi takimin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh pas vetëm 85 sekondash. Filip Kostić, i vendosur shumë mirë brenda zonës, realizoi me një devijim të thjeshtë pas një aksioni të çrregullt që u mbyll me asist të pavullnetshëm nga Vandeputte. Pas golit, bardhezinjtë administruan lojën me qetësi, pa i lejuar Cremoneses të krijonte rrezik të vërtetë.
Në pjesën e dytë, Juventusi vazhdoi të kontrollonte ritmin dhe në minutën e 68-të gjeti golin e dytë me Andrea Cambiaso-n, i cili goditi saktë me të majtën, duke mposhtur portierin Audero dhe duke dyfishuar rezultatin.
Në minutat e fundit, Jamie Vardy ngushtoi diferencën, por ishte tepër vonë për të ndryshuar fatin e ndeshjes. Me këtë sukses, Juventusi i Spallettit nis mbarë një epokë të re, ndërsa Cremonese pëson humbjen e parë në fushën e vet këtë sezon.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: