Klubi saudit Al Nassr kishte arritur një marrëveshje të plotë me Feyenoordin për transferimin e kapitenit David Hancko, por ka ndryshuar mendim në momentet e fundit, duke e prishur marrëveshjen dhe duke shkaktuar zemërim në kampin holandez.
Mbrojtësi sllovak ishte pranë kalimit në Arabinë Saudite për një shumë prej 33 milionë eurosh plus bonuse, por në fund transferimi dështoi. Feyenoordi kishte dërguar të gjitha dokumentet e nevojshme për përfundimin e marrëveshjes, por nuk mori më përgjigje nga ana e klubit saudit, i cili papritur vendosi të orientohet drejt një objektivi tjetër për qendrën e mbrojtjes.
Një zëdhënës i drejtuesve të Feyenoordit reagoi ashpër:
“Është vërtet skandaloze mënyra se si një klub mendon të sillet me një lojtar. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë.”
Ky është rasti i tretë i ngjashëm në këtë merkato vere, pas rasteve të Saúl që nuk përfundoi te Trabzonspori (por shkoi te Flamengo), dhe Walker-Peters që u përfol për Besiktasin, por në fund u transferua tek West Hami.
Si pasojë e kësaj prishjes së marrëveshjes, 28-vjeçari Hancko nuk do të bëhet shok skuadre me Cristiano Ronaldon nën drejtimin e Jorge Jesusit, por do t’i rikthehet stërvitjeve me ekipin e parë të Feyenoordit, tashmë i drejtuar nga Robin van Persie.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: