Sporti i motos është sërish në zi. Vetëm pak ditë pas humbjes tragjike të Borja Gómez, një tjetër talent i madh spanjoll është ndarë nga jeta në moshë fare të re. Pau Alsina, një nga shpresat më premtuese të motociklizmit iberik, ka ndërruar jetë në moshën 17-vjeçare pas një aksidenti të rëndë gjatë një seance stërvitore në pistën MotorLand Aragón.
Alsina, me origjinë nga Sallent (Katalunjë), kishte debutuar këtë vit në JuniorGP dhe shihej si një yll në ngjitje në garat me motor. Por e ardhmja e tij e ndritur u ndërpre papritur pas një goditjeje të fortë në kokë të dielën e kaluar. Mjekët ndërhynë menjëherë me një operacion urgjent, por përpjekjet për ta shpëtuar rezultuan të pamjaftueshme për shkak të dëmtimeve të rënda që kishte pësuar.
Lajmi i hidhur u konfirmua fillimisht nga mediet rajonale Regió7 dhe Ona Bages, ndërsa më pas u shpërnda me dhimbje në të gjithë botën e motorsportit.
Vdekja e Pau Alsinës përfaqëson një tjetër humbje të rëndë për sportin spanjoll me motorë, duke i shtuar dhimbjes që ende nuk është shuar nga ndarja e Borja Gómez. Pau lë pas jo vetëm një boshllëk të thellë për familjen dhe të afërmit e tij, por edhe një kapitull të papërfunduar në historinë e motoçiklizmit europian.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: