Bota e futbollit është tronditur nga lajmi i fundit për gjendjen shëndetësore të Paul Gascoigne. Sipas të përditshmes britanike ‘The Sun’, ish-mesfushori legjendar i Anglisë dhe Lazios, 58 vjeç, është shtruar në një spital në Dorset pas një kolapsi të papritur të premten e kaluar.
‘Gazza’ u gjet pa ndjenja në dhomën e tij të gjumit nga një mik i afërt në shtëpinë e tij në Poole dhe u dërgua menjëherë në spital, fillimisht në repartin e terapisë intensive. Më pas, ai është transferuar në repartin e mjekësisë së urgjencës dhe, sipas burimeve spitalore, gjendja e tij është e qëndrueshme.
Vetë Gascoigne ka dërguar një mesazh për miqtë dhe familjarët ku shprehet: “Jam mirë”. Një burim pranë tij i tha ‘Daily Mirror’ se ai mund të lirohet nga spitali më shpejt nga sa ishte parashikuar, megjithëse ishte planifikuar të qëndronte për disa ditë për kujdes të mëtejshëm:
“U ka thënë miqve që është mirë dhe se do të japë një përditësim më vonë gjatë ditës. Kohët e fundit ishte në formë të mirë, ka qëndruar tre muaj pa konsumuar alkool dhe ka qenë i angazhuar me aktivitete publike. Ishte një befasi për të gjithë kjo rënie e papritur.”
Steve Foster, miku dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë që e ndihmoi në momentin kritik, deklaroi:
“Gazza” dëshiron t’i falënderojë të gjithë për mbështetjen që ka marrë deri tani nga shumë miq të vjetër që i urojnë shërim të shpejtë dhe duan ta shohin sërish në formën e tij më të mirë.”
Futbolli anglez shpreson në një rikuperim të shpejtë për një nga figurat më të dashura dhe ikonike të dekadave të fundit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: