Rubin Kazani e ka hapur me këmbë të mbarë sezonin e ri në Premier Ligën ruse, duke triumfuar në udhëtim ndaj Akhmat Grozny-t me rezultatin 2-0. Dy nga emrat që shkëlqyen në këtë fitore ishin shqiptarët Dardan Shabanhaxhaj dhe Veldin Hoxha, autorët e dy golave që vulosën suksesin e skuadrës.
Në formacionin titullar të trajnerit rus u aktivizuan nga minuta e parë edhe Mirlind Daku, i cili zhvilloi një ndeshje të plotë, por pa mundur të gjente rrjetën. Në vend të tij, protagonizmin e morën bashkëkombësit e tij.
Shabanhaxhaj ishte i pari që zhbllokoi ndeshjen, duke realizuar në minutën e 24-t dhe vendosur Rubin Kazanin në epërsi. Ndërsa në pjesën e dytë, ishte radha e afrimit të ri nga Kosova, Veldin Hoxha, për të vulosur fitoren me një gol në minutën e 51-të.
Me këtë fitore, Rubin nis sezonin me moral të lartë dhe tri pikë të merituara. Tani skuadra do të përgatitet për një përballje të fortë në javën e dytë, ku do të presë në shtëpi Zenitin, një nga rivalët më të fortë të kampionatit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: